Zyra e shtypit e bashkisë së Korçës bëri të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se këtë vit, ndryshe nga më herët janë dhe dy panaire, ai i Poçerisë dhe panairi i Pranverës.
Panairi i Pranverës e ka nisur rrugëtimin më 13 prill dhe përfundon ekspozimin e produkteve nga bizneset që marrin pjesë më 8 qershor, në ditën e karnavaleve. Ndërsa panairi i poçerisë i kushtohet festës së Pashkëve dhe është çelur të hënën, për t’u mbyllur të dielën.
Në Korçë gjatë festave pritet dyndje turistësh vendas dhe të huaj, të cilët kanë pushtuar hotelet e qytetit, por dhe zonat turistike më të njohura si Dardha, Voskopoja, Prespa… etj. Disa prej hoteleve, të kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, u shprehën se janë plotësuar rezervimet.
Korça vitet e fundit ka njohur një rritje të madhe të turizmit, falë dhe investimeve të shumta si brenda qytetit, dhe në zonat kryesore turistike.
Qytetit tashmë i është kthyer “Pazari i Vjetër” një zonë, ku në ditë feste është fat të gjesh vend për të konsumuar qoftë dhe një kafe. Parku i qytetit, gjithashtu ka pësuar ndryshime infrastrukturore, duke u kthyer në një oaz paqeje dhe qetësie për banorët. Maja e Moravës, një atraksion tjetër që ndodhet pak minuta larg qendrës të Korçës, ofron surpriza të shumta për turistët. Për aventurierët është Dardha dhe Voskopoja, ku gjelbërimi, pista e skive gjatë sezonit dimëror, agroturizmi dhe hiking janë kryefjalë e këtyre dy prej zonave më të vizituara në vend përgjatë gjithë vitit. /atsh/