“Elbasani injoron e braktis Ramën! U prit me protesta dhe iku si mi i lagur. Madje dhe administrata e vet e sjellë aty me forcë, nuk pati durimin as ta dëgjonte e as ta duronte.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Elbasanit të urtë i kanë ardhur në majë të hundës harbutëria, mashtrimi dhe makutëria e plasur sheshit e kësaj qeverisje. Nën efektin e “mallit”, Rama u mundua të bënte si përherë humorxhiun e të shante si grua e ligë opozitën, para njerëzve të sjellë me autobuza në sheshin e braktisur, me ekrane modernë. Por njerëz, mos kini më iluzione! Ky është kolera e këtij vendi.
Pasi e ka helmuar, e ka mashtruar, përcmuar e kriminalizuar këtë vend, kërkon ta përdhosë. Shiheni me vëmendje videon e xhiruar pak km larg qytetit të Elbasanit. Është ulëritëse, tragjike, revoltuese dhe e papranueshme tek e sheh.Vula e turpit e një bande-qeveri.
Ky, që habitet e ankohet pse ne domosdoshmërisht duam t’i presim rrugën e marrëzisë në shekullin e 21, e ka kthyer Shqipërinë në shekujt e bujkrobërisë, sundimit të varfërisë, sundimit të llumit e antiligjit.
Rama arriti të mbrehë në parmendë dhe burrin dhe gruan, siç e paraqet videoja, ndërsa rreh gjoksin paturpësisht për suksese e reforma. Kjo është Shqipëria e shekullit 21 nën Ramën. Ky është realiteti i dhimbshëm ku jetojmë, prandaj heshtja sot është krim. Revolta është detyrë qytetare! E keqja duhet shporrur”, tha Boçi.