Karnavalet e Nartës, festa pagane që pason Pashkën ortodokse (foto)

Narta, 14 km larg Vlorës ishte epiqendra e festimeve të Pashkës nga besimtarët ortodoksë të Vlorës.

Qindra besimtarë pritën mbrëmjen e shtunës ringjalljen e Krishtit, në kishën Shën e Djelës e fshatit të Nartës, në një atmosferë festive besimtarët uruan njëri-tjetrin për harmoni dhe begati në familjet e tyre.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, nga kjo kishë uroi besimtarët ortodoks me rastin e Pashkës duke përcjellë urimet më të mira për të gjithë besimtarët.

Ai i cilësoi Pashkët si momentin ku në zemrat dhe familjet e të gjithëve duhet të ketë sa më shumë dashuri, paqe e begati.

“Uroj të gjithë besimtarët ortodoksë në Nartë dhe Vlorë, gëzuar Pashkën, këtë ditë të madhe reflektimi ku jeta fiton mbi vdekjen .

Absolutisht mund ti them të gjithëve se shpresa për më të mirën është ajo që njerëzit duhet të kenë brenda vetes së tyre dhe të besojnë se kur vdekja u mund nga jeta, të gjithë mund të mundim shumë të këqija dhe të bëjmë më të mirën”, theksoi Leli.

Ndërkohë festa ka vijuar sot me karnavalet e Nartës, një festë pagane që vazhdon si traditë nga banorët e Nartës.

Kjo festë karakteristike e zonës vjen me shumë aktivitete argëtuese që mbledh në qendër të fshatit të Nartës banorë të të gjitha moshave./atsh

Loading...