500 fshatra në jug të Shqipërisë të bindur dhe nënshtruar përpara kanunit lab
Papa Zhuli dhe Idriz Sulli jetuan në kohë të ndryshme, por kanë një të përbashkët të madhe: njeri themelues i të drejtës zakonore labe si dhe tjetri hartues i sharteve/ligjive të reja popullore, që patën ndikim të fuqishëm në jetën shoqërore, sociale e juridike të të gjithë trevës së Kaonisë/Labërisë. Kanuni i Labërisë, tek i cili u sanksionuan rregullat shoqërore dhe juridike të së drejtës zakonore në gjithë zonën e Labërisë, Lumit të Vlorës, Kurvelesh, Himarës, trevat e Çamërisë, në të gjithë krahinat jugperëndimore të Shqipërisë ose në krahinat e toskërisë. Themeluesi i Kanunit lab, i cili mban autorësinë e një prijësi të dikurshëm të fshatrave Zhulat – Fushëbardhë e më gjerë, të quajtur Papa Zhuli. Mendohet se i përket periudhës së viteve 1000 deri rreth viteve 1090. Migjithatë mendohet se zanafilla e kanuneve është që në periudhën e ilirëve të lashtë.
Gojëdhëna tregon se në kohët byzantine jetonte një prijës i shquar i quajtur Papa Zhuli, i cili “nga mosha ish plak’i thinjur, por nga mëndja e nga krahu ish djal’i ri”.
Në atë kohë një ushtri e madhe kish ardhur nga deti. Forcat e zbarkuara nga Adriatiku në Vlorë u ndalën në Fushën e Bardhë nën Zhulat dhe i çuan fjalë Papa Zhulit se ajo ushtri mësynte Kostandinopojën dhe nuk kishte qëllim të pushtonte krahinën, por vetëm sat ë kalonte. Palët dhanë besë që për tri ditë të mos prekej njëri-tjetri dhe shkëmbyen pengje besimi, Papa Zhuli u tërhoq dhe të tretën ditë iu fanit sikur i foli dielli duke i thënë: “mos i prek udhën udhëtarëve”. Kështu Papa Zhuli e lejoi të kalonte ushtrinë lirisht ndër viset labe, “në besë të mikut”.
Në këtë periudhë në Kanunin e vendit u bënë disa ndryshime për t’iu afruar Kanunit të të huajve. Sipas një gojëdhëne të zbuluara nga Eqerem Çabej më 1938-1939 thuhet se: “Thuhet se para afërsisht një shekulli u patën bashkuar dy të parë nga të Labërisë, Idris Sulli nga Zhulati dhe Demir Dosti prej Kardhiqit për të reformuar kanunin e vjetër, posaçërisht për të rregulluar rishtas disa çështje, të cilave u kishte kaluar koha dhe kërkohej rinovim. “Institucionet e lashta nuk po përshtateshim me gjendjen e kohëve të reja.
Për këtë qëllim në Taroninë tek Rrepet e Agait (pranë Fushëbardhës), u mblodh Kuvendi i Labërisë i vitit 1773, në të cilën 300 delegatët e të gjitha krahinave vendosën rishikimin e zakonet e kodifikuara në Kanunin e Papa Zhulit, zakone/sharte të cilat u rikonceptuan nga Idriz Sulli, i cili është edhe organizatori i dy kuvende të Labërisë.
Për nder të tij është ngritur një shtatore, e themeluesit të sharteve të labërisë Idriz Sulli, një vepër e skulptorit Murat Kerraj, e gdhendur në trungun e rrapit të famshëm historik të Zhulatit.
Në Shqipëri dhe në të gjithë hapësirën shqiptare kanë vepruar shumë kanune ose “ligje themeltare krahinore”, si Kanuni i Lekë Dukagjinit, i Skënderbeut, i Lumës, i Dibrës, i Lurës, i Labërisë, i Skraparit etj. Pavarësisht se kanunet kanë vepruar në kohë e hapësirë të ndryshme, në shekuj të ndryshëm gojëdhënat flasin për shumë norma të ngjashme e të njëllojta, kanë një nënshtrat të përbashkët, janë pjesë përbërëse të Kanunit mbarëpopullor shqiptar, i cili mbijetoi e përballoi stuhitë e pushtimeve të huaja përgjatë shekujve.
Kanuneve në jug dhe në veri të Shqipërisë u përshtatet sentenca e filozofisë së vjetër popullore, “Jemi bashkë, pse jemi ndryshe”.
Fakt është se kontaktet e trevës së Labërisë me shkollat dhe me jetën kulturore të qyteteve kryesore, e posaçërisht mërgimi, lidhjet tregtare me shtete të tjera si Greqia, Turqia e Italia, kanë luajtur rol përparimtar në Labëri. Të gjithë këta faktorë të harrur së bashku vepruan aktivisht në ndryshimin e mentaliteteve njerëzore, për qytetërimin e shoqërisë dhe, si rrjedhojë edhe për ndryshimet pozitive të normave të Kanunit të vjetër të Labërisë, që pasqyrohen në rregullimin e marrëdhënieve juridike.
Nga gjysma e dytë e shekullit XIX, pas reformave të normave të vjetra, pozita e gruas në Labëri shkoi duke u forcuar brenda familjes, ashtu dhe në marrëdhëniet martesore që gradualisht u liberalizuan në një masë ose në tjetrën. Marrëdhëniet patriarkale-fisnore, autoriteti absolut prindëror dhe sundimi absolut i burrit ndaj gruas, pësuan zbutje, natyrisht, duke ruajtur, diku më fort e diku më pak, gjurmët e patriarkalizmit të kohës së kaluar. Gruaja fitoi disa të drejta e liri, që i mohoheshin më parë. Fëmijët madhorë mund të ndaheshin më lehtë nga trungu prindëror, etj.
Kanuni lab si dhe kanunet e tjera shqiptare, bashkë me Statutet e qyteteve bregdetare të Durrësit, Shkodrës, Tivarit, Drishtit, Budvës etj., të shek.XIV mbetën pasuri kombëtare, që na lanë trashëgimi të pasur kulturore prej brezave.
Kanuni ka qenë “Kushtetuta Popullore”, zakonet, traditat, nderi dhe norma të moralit si faktori kryesor i zhvillimit të jetës shoqërore. Për zbatimin e Kanunit kanë ushtruar ndikim edhe feja, organizmat e vetëqeverisjes vendore, këshilli i pleqve, gjyqi i pleqve dhe kuvendi i burrave me autoritetin e tyre patriarkal, si dhe institucioni i “be-së”. Respektimi i këtyre normave lidhej ngushtë me vetëqenien dhe vetëqeverisjen e këtyre bashkësive dhe të pjesëtarëve të tyre, kurse mosrespektimi vinte në rrezik jetën kolektive të bashkësisë e të individëve.
Këto rrethana kanë bërë që bashkësitë dhe organizmat e vetëqeverisjes vendore të reagojnë ashpër ndaj të gjitha sjelljeve me rrezikshmëri shoqërore, me qëllim ruajtjen e unitetit të bashkësisë e komunitetit dhe mbrojtjen e individit. Mënyrat dhe format e reagimit kanë ndryshuar gjatë zhvillimit historik të shoqërisë labe, që nga bojkotimi, dëbimi e deri te vrasja e fajtorit me faj.
Për periudhën kur nuk kishte shtet të pavarur, nuk kishte kushtetute dhe ligje në zbatim të saj, nuk kishte shtet që të administronte pasuritë dhe kulturën popullore shumëshekullore shqiptare, Kanuni luante rolin e një “Kushtetute mbarëpopullore” për rregullimin e marrëdhënieve juridike të popullsisë të njësive të vetëqeverisjes vendore, duke përfshirë edhe Kanunin e Labërisë qe ka luajtur dhe luan një rol të madh në pasurimin e mëtejshëm të kulturës dhe të së drejtës popullore.
Koncepti kryesor i Kanunit të Labërisë është ruajtja e vlerave më të mira morale e kulturore të trashëguara nga e kaluara dhe lufta kundër anëve negative, të papajtueshme me parimet morale e juridike të shoqërisë demokratike shqiptare.
Studiuesit e kanunit dhe sharteve labe kanë qenë të shumtë por ne mund të dallojmë: Rrok Zojzi, Eqrem Çabej, Eqerem Bej Vlora, Ismet Elezi, Agim Hila, Muzafer Korkuti, Halo Abazi etj. Libri “E drejta zakonore e Labërisë”, e vitit 1994 e Profesor Ismet Elezi, do të shndrohej në “Kanuni i Labërisë”, në përgjigje kjo të këtyre kërkesave të intelektualëve të Labërisë duke bërë kështu kodifikimin e Kanunit të Labërisë, si pjesë e kulturës së lashtë juridike të popullit të kësaj krahine, si pjesë përbërëse e kulturës shpirtërore e materiale të kombit shqiptar. Labëria është bashkësi etnokulturore e formuar në një territor autokton, zonë ndër më të mëdhatë etnografike, me shtrirje gjeografike në më shumë se 500 fshatra, në jugperëndim të Shqipërisë, me gjuhë, zakone e tradita kulturore të përbashkëta.
Studiuesit kanë arritur në përfundim se zbatimi rigoroz i normave kanunore labe shtrihej me më shumë efektivitet në 165 fshatra të Labërisë në qytete si Vlora, Saranda, Gjirokastra, Tepelena e Delvina.
Ajo ka qenë treva e kaonëve të periudhës ilire që përmend Tukididi (629 p.e.r). Labëria, siç është shprehur Sami Frashëri është Arbëria që përfshin nga Lumi Vjosë deri në detin Jon. Të dhëna më të plota me vlera historike, gjeografike për Labërinë japin specialistët e sotëm me grada shkencore e tituj akademikë.
Përsa i përket veprimit në hapësirë të Kanunit të Labërisë, mund të thuhet me siguri se ai zbatohej në fshatra të Vlorës, në Himarë, në Bregdet në tërësi, në Kurvelesh, në Rrëzomë, në Kardhiq, në Rrëzë të Tepelenës, kudo gjetkë ku banojnë bashkësi labe, si dhe në Mallakastër e në shkallë më të kufizuar deri në qytete të Gjirokastrës, Delvinës, Tepelenës e Vlorës. Eqerem Vlora shkruan se: Shumica e lexuesve, nuk dinë fare që në Shqipërinë e Jugës, ka qenë (deri dje) në veprim një ligj i zakonit ndërmjet popullatave malore të Labërisë, të Toskërisë dhe të Çamërisë. Nuk quhesh kudo njësoj: në Toskëri (që nga Korça e deri në Përmet) e quanin Kanuni i Adetit në Çamëri e quanin shkurtazi Adeti, vetëm në Labëri (Lumi i Vlorës, Himarë, Kurvelesh) e quanin Kanuni Papa Zhulit dhe më shpesh Kanuni/Shartet i Idriz Sullit (Sipas Revistës “Shejzat”, Romë 1957, Nr 23, f. 56-61). Kjo pikëpamje është përkrahur edhe nga autorë të tjerë, sipas të cilëve e drejta zakonore që u ruajt gjatë pushtimit osman vepronte jo vetëm në krahinat autonome (Malësi e Shkodrës, Mirditë, Himarë), por edhe në zonat e tjera malore të banuara të Kosovës, Dibrës, Elbasanit, Tiranës, Beratit, Skraparit, Mallakastrës, Vlorës, Labovës, Kolonjës, Korçës, Pogradecit, Çamërisë, etj. dhe zbatohej nga të krishterë e myslimanë, njëlloj nga të gjithë.
Kanuni i Labërisë ka ngjashmëri me funksionimin e shoqërisë homerike që është kaq e njohur në veprat e
Homerit tek Iliada dhe Odiseu. Ka shumë ngjashmëri dhe me funksionimin e shoqërisë posthomerike. Në këto përfundime kanë dalë të gjithë vizitorët e huaj që vizituan vendin tonë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmën e parë të shekullit XX. Po në këtë përfundim ka dalë dhe studiuesi i famshëm japonez Kazuhiko Yamamato, ku në librat e tij thekson tezën se “struktura homerike është e përbërë nga besa, nderi, miku, gjaku dhe hakmarrja”.
Kanunet, zakonet, adetet të marrë në unitet me origjinën, historinë, gjuhën, kulturën dhe vlerat morale të përbashkëta dëshmojnë identitetin kombëtar shqiptar. Që këtej del se Kanuni i Labërisë është pjesë përbërëse dhe variant kryesor i kanunit popullor mbarëshqiptar, i bazuar në filozofinë e vetëqeverisjes vendore ose parlamentarizmit popullor të odave e kuvendimeve fshaçe.