Duke folur pas takimit me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, Basha u shpreh se këtë projekt do ta bëjë publik ditën e nesërme.
Në këtë linjë, Basha njoftoi se të enjten do të bllokohen akset kryesore rrugore në të 12 qarqet e vendit, dhe jo vetëm pikat kyçe lidhëse të veriut dhe jugut me Tiranën siç ndodhi protestën e shkuar.
“Siç u bë e qartë 24 orët e fundit, jemi në një krizë totale të procesit të integrimit.
Shkaku i krizës është qeveria e lidhur me krimin, që ka asgjësuar zgjedhjet, demokracinë, votën e lirë.
Ndaj ne do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet.
Nesër në 18:00 aksion në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore si një përshkallëzim i mosbindjes civile”,- tha Basha.
Po ashtu, lideri i opozitës jokuvendore tha se “paradite në 11:00 PD do të shpalosë detyrat e qeverisë tranzitore”. Ai bëri të ditur se Partia Demokratike është duke punuar për një program elektorale për ofertën ndaj shqiptarëve.