Një debat i nisur për publikimin e fotove në rrjetet sociale dyshohet se është bërë shkak për nisjen e sherrit që përfundoi me dy viktima.
Tre autorët e dyshuar vetëdorëzohen në Polici pas negociatave me familjarët.
Vëllezërit Markel dhe Manuel Bushi bashkë me djalin e xhaxhait të tyre, Vinçesk (Pali) Bushi, kanë qenë ulur së bashku në një tavolinë, ndërkohë që në një tavolinë tjetër kanë qenë Kelvin dhe Erion Jushi, të njohur dhe me emrat, Mikel dhe Jani, djem xhaxhallarësh.
Këta persona ishin të njohur me njëri-tjetrin dhe mes tyre ka nisur fillimisht me shaka një debat për foton që ish-futbollisti, Kelvin Jushi, publikonte në profilin e tij në rrjetet sociale. Fjalë pas fjale, debati mes dy grupeve është acaruar, duke bërë që të dalin jashtë për t’u sqaruar, shkruan “Panorama”.
Por, situata është përshkallëzuar më tej, duke bërë që palët të përleshen fizikisht. Më tej, një prej vëllezërve Bushi ka nxjerrë një armë tip pistoletë. Dy të rinjtë, Kelvin dhe Erion Jushi, pasi kanë parë armën, kanë tentuar që të largohen, por janë ndjekur nga pas nga 24- vjeçari, i cili i ka qëlluar në hyrjen e një pallati.
Vetë autori ka deklaruar në Polici se ka qëlluar në gjaknxehtësi e sipër në drejtim të ish-futbollistit, ndërkohë që 36-vjeçari Jushi, sipas Markel Bushit, ka mbetur i vrarë aksidentalisht.
“Debatuam për ‘Facebook’, pastaj u përleshëm dhe situata doli jashtë kontrollit.
Nxora pistoletën për t’i trembur, po në gjaknxehtësi e sipër nisa të qëlloja.
Nuk kisha për qëllim t’i vrisja”, ka thënë para Policisë 24- vjeçari, Markel Bushi, që dyshohet se është autori kryesor i ngjarjes.
Ndërkohë, për të vërtetuar nëse është qëlluar nga më shumë se një person, do të pritet rezultati i ekspertizës. Për vetëdorëzimin e tre të rinjve, mësohet se ka negociuar grupi i posaçëm hetimor me në krye shefin e Komisariatit të Kurbinit, Erdit Rreçeku.