Po sikur të kishte një rrjet social, ku në vend të ndryshimeve të lëkurës, vetullave e muskujve, njerëzit të na shihnin si ishim dhe si jemi nga brenda? Të shihnim e të krahasonim shpirtin për shembull.

Instagrami është ilaç për të marrë veten me të mirë: ja, ti bën një foto – domethënë bën nja pesëdhjetë e zgjedh njërën – i vë disa filtra, e poston dhe menjëherë vijojnë lumë komentet sesa yll i bukur je, se je perri, je modele, je e jashtëzakonshme, se sa vjen e bëhesh më e bukur dhe se vitet nuk kalojnë fare për ty…

Ja pikërisht që ta dëgjonim sidomos këtë të fundit, dikush shpiku këtë sfidën e famshme #10yearschallenge, ku i madh e i vogël, VIP-a dhe ata që urrejnë VIP-a, njerëz të njohur e krejt të panjohur nxituan të postojnë nga një foto se si dukeshin përpara dhjetë viteve dhe se si duken tani.

Dhe siç edhe pritet, në mbretërinë e vanitetit, u bë qejf i madh dhe të gjithëve na thanë se dukemi më të bukur sesa tani.

Se dukemi më të hollë. Më të palestruar me raste. Ose më të mbushur në raste të tjera. Me më pak kolagjen. Por më të ftillluar, do thoshte ime gjyshe. Mua personalisht më bënë përshtypje vetullat e grave dhe vajzave dhe nxora mësimin: asnjëherë më vetulla të holla, edhe nëse rivjen moda. Të gjitha variantet e sotme të të gjitha grave dhe vajzave me vetullën e mbushur, duken më bukur sesa fotot e dikurshme me vetullën brisk të hollë.

Të tjerat pastaj punëmadhe… Në ditët e sotme është e thjeshtë “të ftillohesh”: pak acid hialuronik, tek-tuk botoks, dhëmbë më të drejtë e më të bardhë, palestër apo thithje dhjami e ngushtim stomaku, veshje më të shtrenjta. Jo më kot në ditët e sotme thuhet se ti nuk je e shëmtuar, thjesht nuk ke mundësi ekonomike…

Po sikur sfida të ishte bërë ndryshe? Po sikur të kishte një rrjet social, ku në vend të ndryshimeve të lëkurës, vetullave e muskujve, njerëzit të na shihnin si ishim dhe si jemi nga brenda? Të shihnim e të krahasonim shpirtin për shembull. Apo zemrën. A kemi ndryshuar për mirë?!

Po, themi të gjithë, me siguri. Edhe në këtë rast jemi shumë më të ftilluar: dimë t’i fshehim mendimet e këqija, pasiguritë, palumturinë, vuajtjen. Madje leku hyn edhe këtu: kush ka shumë, ngjan edhe më i lumtur mes plazhesh tropikale apo më zemërgjerë teksa fotografohet duke ndihmuar të tjerët.

Shfaqim më shumë dashuri në rrjet, festojmë mes bollëkut, tregojmë se sa të dhembshur jemi, postojmë thëniet e aforizmat që na shfaqin të mençur, rrëfejmë librat që kemi lexuar…

Derisa kur mbyllim sytë përpara gjumit mund të shohim veten qartë siç jemi në të vërtetë, siç bëjmë me fotot tona përpara se t’u vëmë filtrat… Si kemi ndryshuar në këta dhjetë vjet? Ku jemi? Çfarë dëshironim të bënim atëherë? Cilat nga gjërat që kemi tani, atëherë thjesht i ëndërronim? Sa kemi udhëtuar? Sa mendjehapur kemi qenë?

Sa miq të rinj kemi? Sa miq kemi humbur? Sa herë na është thyer zemra? Pakkush do të guxonte t’i postonte si ndihemi tani nga brenda pa filtra.

Dhe nuk do të kishte pse ta bënte. Ama, në në atë vetminë tonë ia vlen që të qëmtojmë dhe këto “rrudhat” e zemrës një e nga një, për të kuptuar se ku do të jemi pas dhjetë vjetësh të tjera, kur në rrjet të nisë ndoshta një tjetër sfidë e ngjashme.

Ashtu siç kemi ndryshuar vetullat, mund t’ia dalim ta përmirësojmë edhe atë. Mjafton qëllimi i mirë. Dhe kthimi i vëmendjes nga ajo që kemi brenda. Paratë, për fat, këtu nuk hyjnë fare në punë!

Loading...