Poemë-baladë për Heroin e Popullit, Jaho Gjoliku – Nga Arben Duka

Poemë-baladë për Heroin e Popullit, Jaho Gjoliku. Së fundmi shpallur kriminel nga fundërrinat neo ballisto-fashiste)
Pjesa e Parë

Kuçi ka shumë male,
gjithë për piedestal,
Kuçi ka shumë male,
dhe një Kryemal.

Dhe një Kryemal,
që s’iu qas rreziku,
një hero i lindur,
një Jaho Gjoliku.

Kuçi plot heronj,
kishte dhe më herët,
po Jaho Gjoliku,
ndriti mbi të tjerët.

Po Jaho Gjoliku,
lindi me Anteun,
ndaj u gdhend flori,
në të gjithë Atdheun.

Ku kërciste pushka,
ku ishte rreziku,
ish dhe Mali i Thinjur,
Kapedan Gjoliku.

Në ballë dhe në gjoks,
priste suferinën,
hasmi asnjëherë,
nuk ia pa dot shpinën.

Se Jaho Gjoliku,
Yll-o Yll i rrallë,
plumbin edhe fjalën,
priste ballë për ballë.

Në mes të një halli,
edhe të rrezikut,
ishte pa dyshim,
dhe zemr’ e Gjolikut.

Dhe zemr’ e Gjolikut,
derdhur në flori,
se përmbi çdo gjë,
Jahua ish Njeri.

Ish njeri i butë,
i heshtur-krenar,
po përpara hasmit,
ndizej si një zjarr.

Ndizej si një zjarr,
vullkan e më shumë,
e sot-pas kaq vitesh,
s’ka nga ai brumë…

Vullkan e më shumë,
nëpër ato gurra,
e sot-pas kaq vitesh,
s’ka nga ata burra!

Nëpër ato gurra,
në ato buronja,
pinte ujë Gjoliku,
ku pinte shqiponja.

Ndrinte-vetëtinte,
kristal i buronjës,
se xha Jahua ishte,
biri i shqiponjës.

Biri i shqiponjës,
vëllai i skifterit,
i rridhte në deje,
gjaku i Skënderit.

I rridhte në deje,
gjaku i Skënderit,
jetë e mot besnik,
vendit dhe Enverit.

Luftoi për Atdheun,
me dyfek e zemër,
ndaj lufta i dha,
Jahos Kryeemër.

Ai s’ish Njeri,
ai ishte Mal,
për të s’kish shumë vlerë,
grada Gjeneral.

Ai s’ish Njeri,
ai ishte Mal,
ndaj edhe poeti,
vargun dot s’e ndal.

Vargun dot s’e ndal,
në vargjet epike,
se s’mund të harrohen,
vitet heroike.

Vitet heroike,
që s’ishin si dasëm,
kur kishim në derë,
një ujk e një hasëm.

Kur çdo gur e plis,
kishte ideale,
kur për week-ende,
djemtë s’vanë në male.

Ndaj dhe kush hedh baltë,
mbi gjakun e tyre,
ajo baltë u kthehet,
sërish pas fytyre.

Mbi gjakun që derdhën,
në borë e në vapë,
se kush binte sot,
nesër ngrihej prapë.

Se kush binte sot,
nesër ngrihej prapë,
rreshtohej si lis,
sërish në Brigadë.

Sërish në Brigadë,
Jahua-Komandant,
dhe pavdekësinë,
e kishin garant.

E kishin garant,
thoshte Ai Burrë,
kush bie për Atdheun,
dihet që s’vdes kurrë.

Dihet që s’vdes kurrë,
zemra heroike,
ndaj dhe ranë aq shumë,
nga derë e Gjolike.

Se ç’u ul poeti,
për xha Jahon shkroi:
“Dy plumba në zemër,
mori-por qëndroi…

Dy djem në një ditë,
kjo s’kish ndodhur kurrë,
po Jaho Gjoliku,
ishte Kryeburrë.

Vijon nesër Pjesa e Dytë

Loading...