Punimet rehabilituese në lotin e parë të rrugës së “Lumit të Vlorës”, Babicë-Gjorm kanë përfunduar.
Projekti për rikonstruksionin e rrugës së Lumit të Vlorës është një investim i qeverisë shqiptare më mbështetjen e Fondit Saudit dhe atij Kuvajtian.
Rikonstruksioni i kësaj rruge përfshin edhe rindërtimin nga e para të shumë pjesëve të një segmenti që më shumë se rrugë ka qenë gjurmë e vjetër e asaj që ka ekzistuar dikur.
Kjo rrugë parashikohet të ketë një impakt të jashtëzakonshëm për gjithë qarkun e Vlorës, për banorët, por edhe për zhvillimin e turizmit.
Segmenti Babicë-Gjormë shërben gjithashtu për të lidhur qytetin e Vlorës me parkun arkeologjik të Amantias.
Kjo rrugë lehtëson aksesin e parkut arkeologjik, duke e shkurtuar distancën në vetëm 40 min nga qytetit i Vlorës deri në fshatin Ploçë, ku ndodhen rrënojat e këtij qyteti të rëndësishëm antik.
Në këtë park arkeologjik të vendosur në lartësinë e një kodre rreth 630 m mbi nivelin e detit, në një peizazh të jashtëzakonshëm, do njihni historinë e veçantë dhe do vizitoni monumente unike si stadiumi antik, bazilika paleokristjane, “Tempulli i Afërditës”, fortifikimi i akropolit dhe varret monumentale.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë fton qytetarët që parkun arkeologjik të Amantias ta vendosin në listën e destinacioneve kryesore që duhen eksploruar për sezonin turistik 2019.
Për të shkuar në këtë park arkeologjik nisesh nga qyteti i Vlorës, më pas kalon në fshatin Peshkëpi, për t’u kthyer drejt fshatit Drashovicë. Më pas ndiqet rruga për në Kotë, në fshatin Vajzë dhe në fshatin Ploçë ku ndodhet parku arkeologjik i Amantias.
Rruga e Lumit të Vlorës do të krijojë një lidhje përfundimtare jo thjesht mes fshatrave të Vlorës, por edhe mes Vlorës dhe Himarës duke i krijuar mundësi edhe banorëve të Tepelenës apo edhe turistëve që vijnë nga ana tjetër e Shqipërisë, nga Gjirokastra dhe Tepelena për të pasur akses më të shpejtë në bregdet.
Bëhet fjalë për më shumë se 90 km rrugë, një lidhje tjetër paralele me bregdetin e Shqipërisë, krejtësisht e re që do t’i japë Vlorës një hapësirë të re në funksion të turizmit e gjithashtu edhe një impakt të qëndrueshëm e jetëgjatë në sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë duke mundësuar dalje direkte dhe të shpejtë të produkteve në tregun vendas, por edhe atë të huaj për eksport.
Rruga e Lumit të Vlorës siguron lidhje të re me bregdetin e Jonit dhe hap perspektiva të reja zhvillimi për fshatrat e kësaj zone dhe banorët e saj./atsh