Finalizohet me sukses operacioni i koduar “STOK”

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, finalizoi me sukses operacionin “STOK”, gjatë të cilit u kap në flagrancë shtetasi: Saimir Rexha, 43 vjeç, banues në Tiranë. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, ka marrë informacione nga burime të ndryshme se shtetasi Saimir Rexha, merrej me veprimtari të kundërligjshme në fushën e narkotikëve, duke shpërndarë (shitur) lëndë narkotike të dyshuar si “Kokainë” në sasi të konsiderueshme (100-200 gramë) me porosi, e destinuar për t’u shitur në lokalet e natës në Tiranë.

Në bazë të këtyre informacioneve nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve rreth orës 19.30, në rrugën “Marko Boçari”, është ndërhyrë dhe nga kontrolli i ushtruar në trup, i është gjetur një qese me një sasi lëndë të dyshuar narkotike, gjithsej 183.2 gramë “Kokainë”.

Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi janë gjetur dhe tre armë të ftohta “thika”.

Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta“ dhe “Dhuna në familje“, të parashikuar nga neni 283/1, 279/1 dhe 130/a të Kodit Penal, pasi në ngarkim të shtetasit Saimir Rexha ka bërë kallëzim edhe bashkëshortja e tij për dhunë fizike dhe psikologjike të ushtruar ndaj saj. /atsh

Loading...