Kryemadhi: “Ne kemi një qeverisje monopartiake, një parlament monopartiak që çdo ditë e më shumë po rrëshqet drejt regjimit diktatorial”

Shqipëria është një vend, i cili endet prej 28 vitesh në një tranzicion politik, social dhe ekonomik.

Shqiptarët vuajnë ende sot nga mentaliteti dhe kultura e trashëguar e diktaturës së egër 45-vjeçare, e cila është e rrënjosur edhe te liderët e sotëm shqiptarë.

Kanë kaluar rreth 27 vite që vendi është pozicionuar drejt një perspektive të qartë euroatlantike. Shpeshherë integrimi si proces mbetet thjesht një strategji në letër, apo në ëndrrat e shqiptarëve.

Edhe pas 3 dekadash ne vazhdojmë të mbetemi një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe marrëdhënia dhe procesi i vërtetë i integrimit, që do të fillonte me çeljen e negociatave, duket të jetë ende larg. Shqipëria ka bërë pjesë te grupi i atyre vendeve si Bullgaria dhe Rumania, ku në mes të viteve ‘90 iu afrua një mundësi e artë bashkëpunimi me BE, por konflikti i brendshëm politik, ngjarjet e vitit 1997, bënë që ne mos të ndiqnim ritmin e Kroacisë, e cila e nisi procesin e anëtarësimit disa vite pas nesh.

Sot duket qartë se edhe Serbia, Mali i Zi, por edhe Maqedonia e Veriut, do të jenë sërish disa hapa para, duke e lënë Shqipërinë të izoluar mes konfliktit të brendshëm politik, mungesës së theksuar të dialogut, shtetit të kapur dhe rrëshqitjes drejt autokracisë.

Është pikërisht ky realitet i hidhur shqiptar, ku sot më shumë se kurrë palët janë të polarizuara në skaje të kundërta dhe se drita jeshile në mes të tunelit të errët thuajse është e padukshme!

Ruajtja e stabilitetit nëpërmjet status-quo-s dhe mosfunksionimi i shtetit të së drejtës, kanë bërë që Shqipëria të ketë një qeverisje arbitrare, ku qytetarëve iu cenohet e drejta e pronës dhe e jetës, ku liria e medias është relative, në bazë të interesave individuale dhe partiake, ku administrata publike përdoret dhe vihet në shërbim të partisë në pushtet dhe jo të qytetarëve, ku reformat shtet-formuese kthehen fatkeqësisht në reforma propagande në favor të pushtetit.

Opozita në vend nuk është perfekt. Ndonjëherë peng edhe e gabimeve të së shkuarës, është në përpjekjet e saj për një reformim të brendshëm, por edhe për të ndryshuar një sistem që ka rrënuar çdo qelizë të demokracisë.

Opozita, e ndodhur para një fushe loje me rregulla të pabarabarta, duke i hequr të gjitha mjetet ligjore parlamentare dhe në mungesë të disa prej organeve kyçe të drejtësisë, si Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë, në pamundësi për të ngritur e trajtuar ligjërisht problemet e mëdha, me të cilat përballet vendi, ka vendosur me vetëdije të plotë të ndërmarrë një akt radikal, si ai i djegies së mandateve. Dikush mund të pyes me të drejtë, a është i drejtë ky akt? Fatkeqësisht edhe unë mendoj që po është i drejtë, në rrethanat dhe në situatën ekstreme, në të cilën ndodhet Shqipëria.

Ne kemi një qeverisje monopartiake, një parlament monopartiak që çdo ditë e më shumë po rrëshqet drejt regjimit diktatorial. Korrupsioni në nivelet e larta ka sjellë kosto të larta për qytetarët dhe ekonominë, mbështetja zgjedhore e faktuar tashmë, që iu dha partisë në pushtet nga krimi i organizuar ka sjellë, për fat të keq, kapjen e shtetit prej tij, ka sjellë kapjen e ekonomisë dhe kontrollin e shpenzimeve publike.

Situata ekonomike është tepër komplekse, pasi ekonomia jonë është e monopolizuar dhe në duar të vetëm pak individëve. Qytetarëve iu mungon aksesi në punësim, biznesi i vogël dhe i mesëm është i detyruar të shkojë drejt falimentit, për shkak të taksave të larta. Fermerët ndodhen në protesta të përditshme për shkak të mungesës së gjetjes së tregut për të shitur produktet e tyre, kostove të larta të prodhimit dhe konkurrencës së pandershme. Rinia ka humbur shpresën, duke iu drejtuar shteteve evropiane, si zgjidhjen e vetme për një jetë më të mirë.

Ne kemi shkuar aq larg, sa kemi shkelur marrëdhënien më të rëndësishme kontraktuale me BE, siç është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e firmosur në vitin 2006.

Sot disa prej këtyre shkeljeve janë në hetim edhe nga vetë institucionet evropiane, të cilat i kërkojnë llogari qeverisë shqiptare se pse nuk është zbatuar kriteri i konkurrencës së lirë dhe transparencës në investime madhore si aeroporti i Vlorës, apo Teatri Kombëtar, ku nuk janë lejuar të marrin pjesë në garë investitorë evropianë. Pandëshkueshmëria është një tjetër çështje madhore.

Për herë të parë zgjedhjet e vitit 2017 në Shqipëri na prezantuan me fenomenin e përfshirjes së krimit të organizuar në shitblerjen e votës. Fakt ky që u vërtetua nga përgjimet e prokurorisë shqiptare dhe ku u zbulua se zyrtarë të lartë ishin të përfshirë në këto afera kriminale. Ende dhe sot drejtësia heziton të hetojë deri në fund këto çështje. Drejtësia është në duart e pushtetit dhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese e ka bërë të vështirë luftën opozitare brenda institucioneve.

Të gjendur përpara një situate të tillë, opozita nuk kishte asnjë rrugëdalje tjetër, veç asaj të djegies se mandateve dhe kërkesës së prerë dhe të qartë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që do t’iu japin mundësinë shqiptarëve të zgjedhin të lirë qeverinë që duan.

Djegia e mandateve në asnjë rrethanë nuk është motivuar nga neglizhimi i përgjegjësive politike dhe përfaqësuese. Në thelb, ajo është një rrugë ekstreme e ndërmarrë në kushtet e sjelljes refraktare dhe injoruese të institucionit të opozitës nga mazhoranca, me qëllim përshpejtimin e një konkurrimi të drejtë e të ndershëm në një proces zgjedhor jo të kontrolluar nga krimi, apo nga mazhoranca.

Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, përfshirë Komisionin Evropian, shpesh kanë mbyllur sytë përballë sjelljes politike të mazhorancave dhe trajtimit prej tyre të problemeve të mëdha të vendit, duke toleruar arrogancën dhe “dorën e fortë”, në këmbim të stabilitetit në dukje që ajo sjell. Ne besojmë në vlerat dhe demokracinë evropiane dhe jo në stabilitetin imagjinar, që në vetvete destabilizon vendet me demokraci të brishtë si Shqipëria. Frika se djegia e mandateve dhe rrëzimi i një qeverie mund të kthehet në një precedent edhe për vendet e tjera të rajonit, nuk është argument i qëndrueshëm. Unë dëshiroj t’iu drejtoj një pyetje të gjithë atyre që i druhen ndryshimit politik në Shqipëri: Mos ndoshta është më mirë krijimi i këtij precedenti që të parandalohet edhe në vendet e tjera instalimi i një regjimi autokrat, siç po ndodh në Shqipëri?

Mos vallë është më e rrezikshme mungesa e demokracisë, institucioneve dhe reformave shtet-formuese sesa thjesht rrëzimi i një individi nga pushteti? Sot të gjithë ne duhet të tolerojmë diçka nga vetja për të bërë shtet. Shqipëria nuk ka nevojë për liderë të fortë, por mbi të gjitha për të është jetike një shtet i fortë, i drejtë dhe i barabartë për gjithë qytetarët shqiptarë. Këto janë vlera që qëndrojnë në themel të Evropës, të cilës ne duam t’i bashkohemi.

Situata në të cilën ndodhemi ka vetëm një zgjidhje, një pakt kombëtar, ku të gjitha palët të kenë si pikënisje rivendosjen e dialogut politik në vend. Politika shqiptare duhet të fillojë të ndajë një herë e përgjithmonë programet partiake me interesat kombëtare.

Kjo duhet të nisë me ndryshimin e mentalitetit, me alternativat konkrete që duhet të vendosen në tryezë për ndryshimin e këtij sistemi të rrënuar. Pakti kombëtar duhet të jetë për shqiptarët dhe lufta politike duhet t’i shërbejë ofrimit të mundësive dhe të një jetese më të mirë për ta. Kjo është oferta e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ofertë për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj evropiane.

*Artikulli i Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi për portalin europian “EuropeanInterest.eu”

Loading...