Sportistët shqiptarë që arrijnë rezultate të larta në kompeticionet kombëtare apo ndërkombëtare, dhe që konsiderohen sportistë të nivelit të lartë do të trajtohen në veçanti dhe shpërblehen nga qeveria.
Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për “Kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive të sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë”.
Dispozita të përgjithshme
Sportistët që kanë arritur rezultate të larta në aktivitete kombëtare apo ndërkombëtare, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, konsiderohen sportistë të nivelit të lartë dhe gëzojnë status e trajtim të veçantë, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Sportistët gëzojnë statusin e sportistit të nivelit të lartë nga momenti i marrjes së rezultatit zyrtar në veprimtaritë ndërkombëtare apo kombëtare, sipas përcaktimeve të bëra në pikat 1.1 dhe 2.1, të kreut II, të këtij vendimi, deri në marrjen zyrtare të të njëjtit rezultat nga një sportist tjetër pasardhës.
Sportistët, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, klasifikohen sipas rezultateve të larta sportive të arritura në veprimtaritë ndërkombëtare dhe kombëtare.
II. Kriteret e përcaktimit të statusit të sportistit të nivelit të lartë dhe mënyra e shpërblimit
1. Në veprimtaritë ndërkombëtare:
1.1. Kriteret e përcaktimit të nivelit të lartë sportiv për të rritur, në sportet individuale në përbërje të ekipit kombëtar, si dhe në ekipet kombëtare të sporteve kolektive, për sportet olimpike të përcaktuara dhe të miratuara nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, të jenë rezultatet e arritura në aktivitetet ndërkombëtare zyrtare, sipas klasifikimeve përfundimtare të përcaktuara në rregulloret ndërkombëtare, si më poshtë vijon:
a) sportisti, i cili thyen rekord olimpik;
b) sportisti, i cili thyen rekord botëror;
c) sportisti, i cili thyen rekord evropian;
ç) vendi i parë deri në vendin e tetë në Lojërat Olimpike;
d) vendi i parë deri në vendin e gjashtë në kampionate botërore;
dh) vendi i parë deri në vendin e tretë në kampionate evropiane;
e) vendi i parë në Lojërat Mesdhetare.
1.2. Klasifikimi i ekipeve në sportet individuale nuk merret parasysh në kategorizimin e mësipërm.
1.3. Sportistët që arrijnë rezultatet e përcaktuara në pikën 1.1 të këtij kreu shpërblehen sipas tabelës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, brenda 3 muajve pas shpalljes së rezultateve zyrtare.
1.4. Kriteret e përcaktimit të nivelit të lartë sportiv për të rinjtë janë të njëjta me ato sipas pikës 1.1, të këtij kreu. Kategoria e të rinjve shpërblehen në masën 30% të vlerës së përcaktuar për të rriturit, sipas tabelës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, brenda 3 muajve pas shpalljes së rezultateve zyrtare.
1.5. Trajnerët e sportistëve të nivelit të lartë shpërblehen në masën 40% të vlerës së përcaktuar për sportistët fitues sipas kategorizimeve në tabelën I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, brenda 3 muajve pas shpalljes së rezultateve zyrtare.
1.6. Klasifikimi i ekipeve dhe shuma përfituese për sportet kolektive përcaktohet në tabelën II, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Nga kjo shumë, komitetet drejtuese të federatave sportive përcaktojnë shpërblimin e sportistëve në sportet kolektive, i cili është individual dhe bazohet në kontributin e secilit.
1.7. Sportistët, që arrijnë rezultatet e përcaktuara në pikën 1.1, të këtij kreu, marrin trajtim të veçantë lidhur me:
a) ndjekjen e studimeve pa procedura konkurrimi në Universitetin e Sporteve, Akademinë e Sigurisë dhe Akademinë e Mbrojtjes;
b) ndjekjen e studimeve me plane individuale në institucionet e arsimit të lartë;
c) punësimin në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme.
2. Në veprimtaritë kombëtare:
2.1. Kriteret për përcaktimin e nivelit të lartë sportiv në veprimtaritë kombëtare janë rezultatet e arritura, si më poshtë vijon:
a) Sportisti, i cili thyen rekordin kombëtar;
b) Vendi i parë në kampionatin kombëtar.
2.2. Shpërblimi, sipas masës së përcaktuar në tabelën III, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, mbulohet nga buxhetet e federatave përkatëse sportive.
III. Trajtimi i sportistëve të nivelit të lartë dhe trajnerëve
1. Sportistët pjesëmarrës në veprimtaritë kombëtare të përcaktuara në rregulloret kombëtare dhe në veprimtari ndërkombëtare, për përgatitjen e tyre, përfitojnë trajtim ushqimor në natyrë ose në vlerë, si dhe trajtim mjekësor.
2. Trajtimi ushqimor është 2 500 (dy mijë e pesëqind) lekë në ditë, për 25 (njëzet e pesë) ditë në muaj. Trajtimi mjekësor dhe riaftësimi i sportistëve është deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë në muaj.
3. Trajtimi ushqimor dhe mjekësor mbulohet plotësisht ose pjesërisht nga klubet sportive, me fondet e pushtetit vendor, nga fondi grant ose të ardhura të tjera të ligjshme.
4. Trajnerët e kontraktuar me kohë të pjesshme pranë klubeve sportive/shumësportesh do të paguhen në masën 500 (pesëqind) lekë për orë stërvitore dhe jo më shumë se 1 000 (një mijë) lekë në ditë për 25 (njëzet e pesë) ditë në muaj.
5. Federatat dhe klubet mund të grumbullojnë ekipet e tyre përfaqësuese për veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare. Vlera ditore për akomodimin dhe ushqimin është 7 000 (shtatë mijë) lekë (4 000 lekë ushqimi + 3 000 lekë fjetja) në ditë, sipas nevojave që ato kanë, dhe mbulohet nga buxhetet e federatave apo klubeve, sipas marrëveshjes ndërmjet palëve.
Dispozita të fundit
Efektet financiare për zbatimin e pikave 1.1 deri në 1.5, të kreut II, të këtij vendimi, përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për sportin.
Efektet financiare për zbatimin e pikës 1.6, të kreut II, të këtij vendimi, dhe shpërblimet e dhëna nga ministri përgjegjës për sportin, deri në 500 000 (pesëqind mijë lekë), për veprimtari të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, në sporte individuale dhe në përbërje të ekipeve kombëtare, përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për sportin.
Vendimi nr.1720, datë 29.10.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e përcaktimit të nivelit të lartë sportiv, për mënyrën e shpërblimit të sportistëve, që i arrijnë këto nivele, si dhe për përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.