Zv.ministri i Drejtësisë, Toni Gogu dhe Kryetarja e Bashkisë Gjirokastër, Zamira Rami, kanë nënshkruar marrëveshjen që iu jep mundësi të miturve që kanë kryer një vepër të lehtë penale të korrigjohen, këshillohen, informohen dhe udhëzohen se si mund të përmirësojnë sjelljen, nëpërmjet zbatimit të masave alternative të shmangies nga ndjekja penale.
Gjirokastra është qyteti i radhës që i bashkohet zbatimit në praktikë të Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit, për të trajtuar pranë komunitetit, duke u angazhuar në programe të posaçme socializuese në qendrat sociale të Bashkisë, të miturit që kanë probleme të lehta me ligjin.
Të pranishëm në momentin e firmosjes së marrëveshjes kanë qenë edhe përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Roberto De Bernardi, Kryetarja e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Alma Tandili, përfaqësues nga Policia, Shërbimi i Provës, si dhe OJF-të që ushtrojnë aktivitetin në qytetin e Gjirokastrës. /atsh