Historia e Valbonës, të dhunuar prej 17 vitesh nga ish-bashkëshorti i saj – Vajza e saj me aftësi të veçanta e bën një natë të lumtur!

Historia e një gruaje, që ishte dhunuar prej 17 vitesh nga ish-bashkëshorti i saj, mbylli takimin e kësaj të shtune të programit “Dua të të bëj të lumtur”.

Kjo ishte historia e trishtë e Valbonës, e cila ishte ftuar nga vajza e saj me aftësi të veçanta, Llambrinia.

Valbona ishte martuar me shkuesi dhe gjatë të gjithë kohës kishte pasur probleme me familjen e ish-bashkëshortit. Fatkeqësisht, gjatë kohës që ishte shtatzënë, Valbona e kishte humbur fëmijën e parë dhe ish-bashkëshorti e kishte bërë atë fajtore.

Pas disa vitesh, në jetë kishte ardhur Llambrinia, por ajo kishte lindur me aftësi të veçanta dhe përsëri ish-bashkëshorti vazhdonte të akuzonte Valbonën. Për këtë arsye, ai ushtronte dhunë fizike mbi të dhe mbi Llambrininë, pasi ai nuk e konsideronte si vajzën e tij.

Kësaj dhune nuk i kishte shpëtuar as vajza e vogël e çiftit. E lodhur nga dhuna e vazhdueshme për 17 vite me radhë, Valbona kishte vendosur që të divorcohej.

Llambrinia i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur” për të falënderuar mamanë e saj që nuk e braktisi, e për ta falënderuar për çdo sakrificë që ka bërë dhe vazhdon të bëjë për të.

“Mami, kam ardhur këtu për të të bërë të lumtur dhe që t’i harrosh vuajtet që ke kaluar me mua dhe babin tim që të dhunonte. Të falemnderit për çdo gjë që ke bërë për mua dhe që nuk më braktise këto 17 vite, duke sakrifikuar veten tënde. Ti dhe motra jeni gjithçka për mua”, ishin fjalët e Llambrinisë.

Në studio, Valbona rrëfeu vështirësitë ekonomike dhe sakrificat që duhej të bënte çdo ditë, për të rritur e vetme dy vajzat e saj. “Deri sa të kem jetë nuk do t’iu lë kurrë, as ty, as motrën tënde. Ju jeni gjithçka për mua”, tha më tej ajo.

E ftuar surprizë për Valbonën ishte këngëtarja tepër e dashur për publikun, Maja, e cila i dha këtë mesazh:

“Në këto kushte që kemi, duhet të mundohemi të gjejmë momente të bukura në jetën tonë. Le të rrëmbejmë çdo gjë të bukur dhe ti ke adhurimin tim, sepse je një femër tepër e fortë. Të gjithë kanë probleme, por me forcën tonë të brendshme ne ia dalim”.

Loading...