Shtetasit e Maqedonisë së Veriut u rikthyen sot në qendrat e votimit në një të diel me shi për një raund të dytë shumë të paqartë të zgjedhjeve presidenciale që mund të përfundojë me një kokëçarje politike për koalicionin e majtë në pushtet kandidati i të cilës përballet me përfaqësuesin e të djathtës nacionaliste.
Niveli i pjesëmarrjes do të jetë gjithashtu shumë i rëndësishëm për kandidatët Stevo Pendarovski, 56 vjeç, i partisë SDSM-së në pushtet dhe Gordana Siljanovska Davkova, 63 vjeç, kandidate e të djathtës nacionaliste, që dolën gati barazim në raundin e parë.
Një pjesëmarrje e 40% të 1,8 milionë votuesve është e nevojshme për të quajtur të vlefshme votimet dhe që të evitohet rreziku për të futur vendin, një prej më të varfërve në Europë, në një periudhë të re pasigurie politike.
Rezultati shumë i ngushtë i raundit të parë, 42,85% për Pendarovski dhe 42,24% për Siljanovska Davkova, dëshmon për ndasinë mes properëndimorëve dhe nacionalistëve.
Ata u përplasën së fundmi mbi vendimin e pushtetit për të ndryshuar emrin në Maqedonia e Veriut që t’i jepet fund konfliktit me Greqinë pas gati një çerek shekulli mbi emrin e kësaj ish-republike jugosllave.
Niveli historikisht i ulët i pjesëmarrjes së votuesve në raundin e parë, nën minimumin e nevojshëm të 40% për të quajtur të vlefshme zgjedhjet, duket se tregon një dështim për të tërhequr shumicën e votuesve.
Megjithatë, kryeministri Zoran Zaev ka besim që zgjedhjet do të jenë një sukses. Në të kundërt ai synon të organizojë zgjedhje legjislative të parakohshme.
Ai ka në dispozicion edhe mundësi të tjera, si të organizojë një votim të ri, të ndryshojë Kushtetutën për të hequr kushtin e limitit të nevojshëm, apo t’i japë Parlamentit pushtetin për të zgjedhur presidentin.
Ky post është kryesisht honorifik, por presidenti, që mund të refuzojnë nënshkrimin e ligjeve të miratuara, është në gjendje të vështirësojë ushtrimin e pushtetit nga qeveria./atsh