Thaci: “Një nga kryeministrat e Shqipërisë, në vitin 2002 ka ofruar projektin e Gjingjiçit për ndarjen e Kosovës. E kam nxjerrë nga zyra”

Hashim Thaçi tregoi një episod të rëndësishëm të vitit 2002. 

Ai tha se një kryeministër shqiptar i ka shkuar në zyrë duke i prezantuar planin e Zoran Gjingjiçit, kryeministrit të atëhershëm serb, për ndarjen e Kosovës.

“Një nga kryeministrat e Shqipërisë, në vitin 2002 ka ofruar projektin e Gjingjiçit për ndarjen e Kosovës. E kam nxjerrë nga zyra”, tha Thaçi.

Drejtuesi i emisionit “Opinion” dhe të ftuarit e tjerë e pyetën disa herë se për cilin kryeministër bëhet fjalë, por Hashim Thaçi nuk ka thënë asgjë tjetër.

Në të vërtetë, në vitin 2002, Shqipëria ka pasur plot tre kryeministra. I pari ka qenë Ilir Meta, i cili ka drejtuar qeverinë nga shtatori i vitit 2001 deri në 29 janar 2002. Më pas, kryeministër ka qenë Pandeli Majko në periudhën 22 shkurt 2002 – 25 korrik 2002, i pasuar nga Fatos Nano prej 29 korrikut.

Zoran Gjingjiç u rikthye në vëmendjen e opinionit publik pak kohë më parë, pas një përplasjeje mediatike mes gazetarit Baton Haxhiu dhe Presidentit Ilir Meta. Haxhiu e akuzoi për miqësinë me Gjingjiçin gjatë kohës që ka qenë kryeministër, ndërsa Meta iu kundërpërgjigj duke thënë se ishte krenar për të.

“Jam shkumë krenar për miqësinë me kryeministrin e Serbisë në atë kohë, Zoran Gjingjiç. Unë me Zoran Gjingjiç kam punuar për lirimin e shqiptarëve dhe ai ka thënë se ma ka kërkuar kryeministri i Shqipërisë. Kur u vra ish-kryeministri Gjingjiç? Pavarësia e Kosovës kur u shpall, shumë kohë pas vrasjes? Atëherë si mund të diskutohej ndryshimi i kufijve kur Kosova ishte ende shtet?”, ka thënë Meta më 17 janar të vitit 2019.

Edhe pasardhësi i tij, Pandeli Majko ka qenë shumë pranë çështjes së Kosovës, i njohur si kryeministri që mbështeti kosovarët gjatë luftës dhe që inicioi i pari ndërtimin e “Rrugës së Kombit” përmes mbledhjes së taksës.

Ndërkohë, mundësia e tretë e kryeministrit që mund t’i ketë përcjellë Thaçit propozimin e kryeministrit serb të asaj kohe, është Fatos Nano

Loading...