Është folur gjatë për udhën e shkronjave shqipe. Ato shkronja të arta që u lyen me gjak dhe për të gjithë shqiptarët janë më të shtrenjta se ari. Në fakt historia shqiptare ato shkronja i ka më të shenjta se vetë besimi në zot sepse ato ngjizën historinë e lashtë shqiptare që rrënjët i ka në djepin e njerëzimit, por që kurrë nuk e dokumentoi historinë e saj me gjuhën e bukur shqipe deri në atë vit të artë kur u mblodh Kongresi i Manastirit.
U zgjodh qyteti i Manastirit sepse ai ka hyrë në histori si qyteti i konsujve të huaj. Pikërisht duke qenë se kjo ngjarje kërkonte ndërkombëtarizim dhe jehonë u vendos si më e përshtatshme që të zhvillohej në Manastirin e bukur shqiptar.
Kongresi i filloi punimet në hotelin “Liria” të Gërmenjëve dhe kishte 160 delegatë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë si dhe kishte përfaqësues nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Egjipt, Amerikë etj.Në kongres mernin pjesë delegatë që i përkisnin fesë myslimane, katolike dhe ortodokse dhe protestantë duke përfaqësuar kështu të gjitha besimet fetare në Shqipëri.
Për arsye të ndryshme në Kongres munguan disa nga penat më të njohura të Rilindjes, në të cilën u vu re veçanërisht mungesa e Faik Konicës por dhe ca të tjerëve, të cilët e cilësuan këtë ngjarje si një nga ngjarjet më të mëdha historike të shqiptarëve dhe në fakt e tillë ishte.
Në kujtimet që janë shkruar për këtë kongres vihen re shumë propozime për disa variante alfabetesh. Kishte përkrahës të alfabetit grek, latin dhe arabo-turk. Ndër më të flaktët ishte lobi i bazimit të shkronjave tek alfabeti arabo-turk.Pjesa më e madhe e delegatëve që e urrenin në kockë perandorinë osmane dhe që ishin të mërzitur nga futja në hundët e brendshme të Shqipërisë nga fqinjët përkrahën më shumë idenë që të zgjidhej një fjalor i njv vendi asnjanës. Varianti më i mirë do ishte ai i shkronjave latine.
Përplasje të ashpra mendimesh. Nuk po shkohej asgjëkundi. Gjithësecili kërkonte variantin e tij. U desh ndërhyrja e Fishtës që të pranoheshin dy alfabete dhe të zgjidhte vetë populli se me ç’alfabet donte ai të shkruante gjuhën e mëmës.
Pas këtij vendimi,pati edhe shumë protesta,të organizuara nga qarqe të ndryshme,përkrahës të alfabetit arabo-turk,që nuk hiqnin dorë aq lehtë nga përdorimi i tij . Dhe do të vinte pak vite më vonë vulosja e këtij vendimi të rëndësishëm më 28 nëntor 1912, kur Ismail Qemali do të lexonte deklaratën e Pavarësisë të shkruar me shkronja latine. Ishte verdikti i shenjtë i popullit.
Një ndër visaret më të bukura të këtij kongresi të bekuar për shqiptarët është fjalimi i at Gjergj Fishtës. Një fjalim që ka hyrë në histori. Ja ç’kujton Homeri i shqiptarëve…
“Ishim nga të gjitha skajet e Shqipnisë dhe të kolonive shqiptare ndër dhena të hueja. U treguem me të vërtet shqiptarë, sepse kurnjani nuk donte me i lëshue asnji fije penit nga mendimi i vet atij tjetrit.
Kongresi duhej të shpërndahej pa marrë kurrnji vendim.
-U tërbova prej inati. U çova në kambë e u fola: “O burra shqyptarë po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës?!
Po a mendoni ndopak se çka do t’u thomi shqyptarëve kur të na pvesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir?
Çka do t’u thomi na njerzve të pashkollë që nuk dijnë as me shkrue as me këndue…?
Na jemi që mendojmë me ba Shqypninë e si do ta bajmë atë kur na nuk duem me u marrë vesht ndërmjet vedit se si duhet me u shkrue germa A e ajo I?
Burra po ju flas me zemër në dorë se asht marre, turp e faqe e zezë me i lanë marre vedit para popullit shqyptar e para tanë botës, që pret dishka prej nesh e na të kthejmë pa kurrgja në dorë ndër shpija tona.
Po ulnju burra, ulnju sheshit e pse të kalojmë edhe nji ditë ma shumë në kët vend, mos ta lamë duerbosh popullin që na pret…!
-Aferim! Padër Gjergj…! Aferim të kjoftë! – bërtiti me të madhe nji hoxhë me mjekërr. Ai u çue në kambë e e erdh drejt te un, më puthi në ballë e më tha:
“Kështu flet shqiptari që e din se asht shqiptar…!”
Ulnju burra, -u tha, – ulnju këtu në shesh të zgjedhim nji komisjon e në krye të vemë Pader Gjergj Fishtën, e vetëm komisjoni do të caktojë se shka duhet të bajmë sot – për të mirën e popullit shqiptar nesër…
Fjala e tij u ndigjue me duartrokitje, dhe më caktuen Kryetar të Komisionit të Kongresit të Manastirit, i cili do të delte bosh sikur mos të ishte tregue toleranca e eme që të pranojshim dy alfabete njiherit, atë të Stambollit që kërkonte Mit’hat Frashëri dhe kët që u vendos.
Kjo sjellje e eme në Kongres të Manastirit më ka kushtue mjaft shtrejtë në jetë, sepse Abat Doçi, të cilin un e përfaqsova në atë Kongres m’u idhnue, e kur u ktheva më tha: “Pater Gjergj, un të kam dijtë si nieri që nuk ban kompromis në jetë!”
…Por Shqypnija s’mund të bahej ndrysh…!
At Gjergj Fishta
(Historia e Shqipërisë)
/konica.al/