S’ka fjalë më të bukur, se “Të dua” – Nga Petro L. Sotta (Krijuesit e Labërisë)

S’KA FJALË MË TË BUKUR, SE “TË DUA”

Me buzëqeshje, më provokon,
Sikur të isha, shkëmb në mal,
Por, kur ngadalë, gjirin zbulon,
Po më shkrinë, se jam djalë…

Si një djalë, vërtetë unë jam,
Dhe larg sado, nga ti të jem,
Zjarri yt, si zheg më ngjanë,
Dhe si vullkan, kur shpërthen…

Kur shpërthen, se mbanë dot,
Si një syth, kur tokën çan,
Por, syri laget, kur pikon lot,
Përmbi qerpik, si vesë ngjanë…

Si vesë ngjanë, rrjedh në faqe,
Por, ky lot, është nga gëzimi,
Porsi një lule, manushaqe,
Të ndrinë faqja, nga shkëlqimi…

Nga shkëlqimi, faqja të ndrinë,
Si në pasqyrë, rrezja të bije,
Por, kush ta pa, ty bukurinë,
Do mendonte, je prej magjije…

Si me magji, vërtetë të bënë,
Dashuri, t’hodhën si mjaltë,
Një natë pranvere, plot me hënë,
Të skalitën, dhe pak me daltë…

Si me daltë, të kanë skalitur,
Edhe kur jetën, ty të dhanë,
Si një ëngjëll, ti kishje zbritur,
Dhe pastaj, fol të thanë…

Fol të thanë, në gjuhën tonë,
Mjaltë të nxjerrësh, nga goja ti,
Është një gjuhë, që zbukuron,
Ka fjalë të ëmbla, si magji…

Fjalë të ëmbla, ka shqipja jonë,
Me asnjë, s’do e krahasoja,
E flasin ëngjëjt, atë gjithmonë,
Si poezi, të del nga goja…

Të del nga goja, si poezi,
Dhe rrjedh ëmbël, si një krua,
S’do t’kish tjetër, në dashuri,
Fjalë më të bukur, se “Të dua”.

Petro L. Sota 6 maj 2019

Loading...