Ministria e Financave ka përgatitur projektligjin dhe është dorëzuar për shqyrtim në Kuvend, që parashikon se përveç pensionit të pleqërisë, masa e pensionit suplementar që do të marrin sipas këtij drafti varion nga 0.6 deri në 1 për qind shtesë për çdo vit pune në profesion të siguruar.
Fondi që do të vihet në dispozicion për një vit arrin në 1.4 miliardë lekë.
Përfituesit
Përfitues të trajtimit të veçantë që bën ky projektligj do të jenë të gjithë personat që kanë dalë në pension në bazë të ligjit të vitit 1966, atij të vitit 1993 dhe pensionistët që kanë përfituar sipas ligjit të vitit 2014 dhe të gjithë personat që kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë, në industrinë e naftës e të gazit dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhimit, sizmikës, gjeofizikës kantieriale, përpunimit dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës, si dhe punonjësit që kanë punuar në metalurgji. Sa i përket vjetërsisë në punë dhe periudhat e sigurimit për ata që janë aktualisht në pension, projektligji njeh përcaktimet që kanë bërë ligjet e mëparshme për këto kategori.
Ndërsa për ata që kanë kryer proceset e punës në miniera në nëntokë, në industrinë e naftës dhe në metalurgji pas vitit 1993 do të njihen për efekt përfitimi sipas këtij ligji, kur ato janë kryer dhe janë dokumentuar, pavarësisht nëse të punësuarit kanë kryer aktivitet ekonomik në subjekte me kapital plotësisht, ose pjesërisht shtetëror si dhe në subjekte private.
Periudhat e sigurimit të pambuluara me kontribute të paguara në fondin e sigurimeve shoqërore nuk njihen të vlefshme për këtë projektligj.
Relacioni
Në relacionin që shoqëron draftin thuhet se bazuar në të dhënat që disponohen, si dhe në numrin aktual të punësuarve në industrinë e naftës, parashikohet që numri i personave që përfitojnë të arrijë në rreth 7600, nga 12 500 që përllogaritej të ishte para ndryshimeve, me një efekt financiar vjetor rreth 720 milionë lekë. “Në projektligjin fillestar, efektet financiare ishin parashikuar rreth 400 milionë lekë. Numri i përfituesve minatorë parashikohet të jetë rreth 13 300 persona dhe efekti përllogaritet rreth 520 milionë lekë në vit, ndërsa për metalurgjinë, numri i përfituesve parashikohet të jetë rreth 2 500, me një efekt financiar rreth 220 milionë lekë. Gjithsej, parashikohet të jenë 23 400 përfitues me efekt financiar vjetor 1 460 milionë lekë”, – thuhet në relacion.