Kryebashkiakja më e pasur në Shqipëri

Majlinda Bufi hoqi dorë nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2015 për të kandiduar për një mandat në krye të Bashkisë së Roskovecit.

Në zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015, ajo u shpall fituese me 52.45% të votave si përfaqësuese e Partisë Socialiste dhe e Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Majlinda Bufi ka lindur në vitin 1972 në Roskovec të Fierit.

Ajo u diplomua për inxhinieri ndërtimi në Universitetin Politeknik të Tiranës në vitin 1995, ndërsa në vitin 2005 përfundoi studimet edhe për Politikë Agrare pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Gjatë viteve 1995-2010, Bufi ka punuar si përgjegjëse e zyrës së urbanistikës pranë Bashkisë Roskovec dhe më pas si menaxhere e supervizionit dhe kontrollit pranë IC Contracting në Tiranë, si dhe administratore e kompanisë së themeluar prej saj “Megal Center” në Fier.

Znj. Bufi është përfshirë që herët në politikën lokale. Prej vitit 1995 ka qenë aktive në strukturat e Partisë Socialiste dhe prej vitit 2005 është kryetare e degës së Partisë Socialiste në Roskovec, anëtare e Asamblese Kombëtare të PS, si dhe anëtare e Këshillit Bashkiak në Roskovec dhe në Fier. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, Bufi u zgjodh deputete e Kuvendit të Shqipërisë, por e la në mes mandatin për të drejtuar bashkinë e Roskovecit. [Lexo CV-në e plotë]

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve të bashkive të vendit në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë familjare të deklaruar nga kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi nga viti 2013 deri në fund të vitit 2017.

Skeda e pasurisë së deklaruar nga kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi për vitet 2013-2017.

Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit zotëronte familjarisht pasuri me vlerë rreth 194 milionë lekë në vitin 2013- me burim kryesor të ardhurat nga emigracioni.

Pasuria multimilionëshe përbëhet nga investime të shumta në pasuri të patundshme; apartamente dhe dyqane në Roskovec, Fier dhe Tiranë, para në gjendje cash prej 20 milionë lekësh si dhe aksionet e bashkëshortit në kompaninë “Anbi sh.p.k” prej 31.8 milionë lekësh.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare rezulton me një rënie të lehtë krahasuar me vitin fillestar, duke kapur vlerën e 171.8 milionë lekëve. Ajo zotëron 138.8 milionë lekë pasuri të patundshme, 26.8 milionë lekë likujditete bankare si dhe automjete në vlerën e 3.9 milionë lekëve.

Pakësimi i pasurisë lidhet kryesisht me shitjen e aksioneve të kompanisë “Anbi” sh.p.k nga bashkëshorti i kryetares së bashkisë. Kompania me objekt projektimin dhe zbatimin e ndërtimeve është regjistruar në vitin 2000 nga bashkëshorti i Znj.

Bufi dhe është shitur prej tij në janar 2014 në këmbim të 10 milionë lekëve. Në kohën e shitjes, kompania kishte kapital të nënshkruar prej 31.8 milionë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën 2013-2017 janë 30.9 milionë lekë. Paga nga funksioni i Znj.

Bufi ka siguruar rreth 31% të të ardhurave, ndërsa shitja e aksioneve të kompanisë së bashkëshortit 29%. Familja Bufi ka siguruar gjithashtu të ardhura nga qiratë në masën 16% dhe nga paga e bashkëshortit në masën 9%.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 4 vite të deklarimit, të cilat rezultuan pa probleme.

Por BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq” në këtë analizë, të cilat lidhen kryesisht me burimin e pasurisë së deklaruar nga Znj. Bufi si dhe transaksionet e kryera me të.

Më konkretisht, pasuria multimilionëshe e deklaruar në vitin 2013 ka si burim kryesor emigracionin dhe të ardhurat nga biznesi. Si rregull, të ardhurat nga emigracioni të deklaruara nga zyrtarët publikë i nënshtrohen verifikimeve nga ILDKPKI.

Në vitin 2013, bashkëshorti i Znj. Bufi deklaron se ka në gjendje cash 20 milionë lekë me burim nga legalizimi i kapitalit.

Sipas legjislacionit, legalizimi i kapitalit është deklarimi vullnetar i shtetasve shqiptarë se zotërojnë shuma në të holla, brenda ose jashtë vendit si dhe kanë paguar tarifën përkatëse në institucionet tatimore. Në fund të vitit 2017, gjendja në cash rezulton e zeruar.

BIRN identifikoi gjithashtu se pakësimi i pasurisë vjen kryesisht për shkak të shitjes së kompanisë “Anbi sh.p.k” si dhe nga revokimi i kontratës për ndërtimin e një objekti me sipërfaqe 313 m2.

Të ardhurat e siguruara nga këto transaksione janë investuar pjesërisht në pasuri të patundshme apo në llogari bankare, ndërsa për pjesën tjetër nuk ka të dhëna të deklaruara.

Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017/ Reporter.al

Loading...