Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ditën e sotme ka zhvilluar një takim me strukturat e LSI-së në Dibër.
Gjatë fjalës së saj para strukturave, Kryemadhi ka komentuar edhe zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahem më 30 qershor të këtij viti.
Kryemadhi u shpreh se shumë shpejt do ketë fakte me zë dhe figurë se si tjetërsohet vota nga drejtues të PS-së në rrethe të ndryshme të vendit.
“Unë nuk jam e bindur që do këtë vetëm zgjedhje vendore në qershor për shkak të situatës politike. Vendi është pushtuar nga kaosi dhe pasiguria. Ju keni parë në media se si Vangjush Dako komunikonte me bandat për të tjetërsuar votëne shqiptarëve. Do ketë fakte të tjera me zë dhe figurë se si drejtues të PS-së tjetërsojnë votat”, tha Kryemadhi.
Akuzat e opozitës ndaj Dakos lidhen me disa përgjime që kanë dalë në media, ku kryebashkiaku i Durrësit komunikon me njërin nga anëtarët e bandës së Avdylajve, Altin Avdylaj. Sipas tyre, Dako bashkëpunoi me Avdylajt për të blerë votat në Durrës, por këto akuza janë hedhur poshtë nga kryebashkiaku, i cili ka thënë se komunikimet me Avdylajt kanë qenë në kuadër të fushatave elektorale dhe pa asnjë prapavijë kriminale.