Të paktën 872 milionë euro kanë hyrë nga vendete BE-së në Shqipëri përgjatë vitit 2017, ndërsa jashtë vendit janë transferuar vetëm 72 milionë euro. Në këto transferta përfshihen edhe paratë që emigrantët dërgojnë në vendet e tyre të origjinës.
Ndër vendet e kandidate për t’u anëtarësuar vlerën më të madhe të transfertave të hyra e ka Serbia, ku gjatë 2017-s llogariten rreth 2.9 miliardë euro, ndërsa transfertat e dala llogariten sipas Eurostat rreth 201 milionë euro. Pas Serbisë dhe Shqipërisë, për vlerën më të madhe të parave të hyra renditet Kosova, ku transfertat e hyra llogariten 759 milionë euro, ndërsa të dalat janë 35 milionë euro.
Në Turqi transfertat në 2017-n ishin 657 milionë euro . Vlerën më të ulët për sa i përket transfertave nga BE-ja e ka Maqedonia me 194 milionë euro të hyra dhe 18 milionë euro të dala. Në total vendet jo anëtare të Bashkimit Europian përgjigjen për 13% të transfertave të dala nga BE-ja.
Eurostat ka përllogaritur se rezidentët e BE-së kanë dërguar në vendet jo anëtare të Bashkimit Europian gjatë 2017-s 32.7 miliardë euro, ndërsa transefertat e marra nga vendet jo anëtare të Bashkimit Europian llogariten rreth 10.7 miliardë euro.
Pjesa më e madhe e transfertave perosnale përbëhen nga paratë që dërgojnë emigrantët në vendet e tyre të origjinës. Nga të dhënat e Eurostat, transfertat ishin më të larta në vende si Franca me 10.6 miliardë euro, Spanja me 7.3 miliardë euro, Mbretëria e Bashkuar me 6.8 miliardë euro dhe Italia me 6.1 miliardë euro.
Në kontrast në vende të tjera të Europës transfertat e hyra janë më të larta se paratë që kanë dalë jashtë vendit. Transfertat e hyra më të larta brenda BE-së ishin në Portugali me 3.6 miliardë euro, në Poloni me 3.1 miliardë euro, Rumani me 2.8 miliardë euro dhe Mbretëri e Bashkuar me 2.3 miliardë euro./Monitor