Mbi funksionimin e shoqatës Kallarati, gazetës, uebsajtit dhe facebook-ut me emrin Kallarati –

MBI FUNKSIONIMIN E SHOQATËS, GAZETËS, UEBSAJTIT DHE FACEBOOK-ut ME EMRIN KALLARATI.

Përshëndetje kallaratas, pjesëtar të fb “Shoqata Kallarati”!

(Ju lutem shkrimin e mëposhtëm lexojeni deri në fund, me qëllim dhënien e mendimeve për përmirësimin e komunikimit mes njëri tjetrit).

Tashmë pas viteve 90, kohë në të cilën u u lejuan që njerëzit të lëvizin të lirë anembanë Shqipërisë, por edhe botës, ashtu si shumë shqiptarë edhe kallaratasit gjithmonë për një jetë më të mirë kapën Vlorën, Tiranën, por sidomos Greqinë dhe Italinë. Ndërsa sot ata gjenden në çdo cep të botës, në Gjermani, Turqi, Francë, Angli, Spanjë, Belgjikë, Poloni, Australi, Kanada, Amerikë e kudo tjetër ku kanë mundur.

Megjithatë sa më shumë largohen vitet që janë larguar nga fshati aq më tepër është rritur dashuria dhe malli i tyre për Kallaratin, jo vetëm ata që lindën aty, por edhe nipërit e stërnipërit tyre e thonë me plot gojën dhe krenari që jemi shqiptar dhe në veçanti kallaratas. Pa dyshim që një fakt i tillë na mbush të gjithëve me krenari.

Po cilat janë ato media, portale e rrjete sociale që e bëjnë lexuesn të ndihen sa më afër me Kallaratin?

SHOQATA ATDHETARE E KULTURORE “KALLARATI”

Shoqata Atdhetare & Kulturore “Kallarati” u krijua më 12 Janar 2003, me nismën e një grupi bashkëfshatarësh kallaratas me banim në Vlorë.

Qëllimi i kësaj shoqate ishte dhe vijon të jetë: “Ruajtja dhe përhapja e vlerave më të mira atdhetare e kulturore të Kallaratit. Si një bashkim i distancuar nga çdo qëndrim politik i çdo ngjyre qoftë, shoqata ka për mision të bashkojë kallaratasit kudo që ndodhen, të bëjë të njohura figurat më të shquara të Kallaratit që kanë bërë emër në historinë e fshatit, të krahinës e të vendit por edhe përtej kufijve; të kujtojë datat historike të qëndresës shumëshekullore të kallaratasve kundër pushtuesve të huaj; të kultivojë te brezi i ri kallaratas vlerat më të mira të të parëve tanë, duke përjetësuar lart emrin e nderuar të Kallaratit nën moton “Ec ngado, po Kallaratin mos e harro”.
Shoqata, me qendër në Vlorë, ka degët e saj në Tiranë, Vlorë, Fier, Kallarat dhe në Greqi.

Shoqata jonë deri më sot funksionon mjaft mirë me veprimtaritë e saj të zhvilluara në Kallarat, Vlorë, Tiranë e kudo tjetër. Në mënyrë të veçantë kujtojmë takimet e brezave, festimin e 100 vjetorit të djegies së fshatit nga andartët grekë, 100 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe në Kallarat e plot aktivitete të tjera kulturore e patriotike, të cilat i kanë shërbyer bashkimit të kallaratasve me njëri tjetrin.
Gjatë këtyre vjetëve Shoqata ‘Kallarati” mori formë, u konsolidua dhe u bë e njohur jo vetëm për kallaratasit brenda e jashtë Shqipërisë, por edhe më gjerë. Ajo ka zënë një vend të merituar përkrah shoqatave simotra të fshatrave të tjera të zonës sonë Labe.

Kryetari i parë i shoqatës Kallarati ka qenë zoti Gafur Shameti, një nga nisëmtarët e krijimit të saj dhe që nga viti 2011 këtë shoqatë e drejton zoti Kastriot Karabolli.

GAZETA KALLARATI

Krahas me themelimin e shoqatës në vitin 2003, dy muaj më vonë nisi rrugën e saj edhe gazeta me të njëjtin titull “Kallarati” si përçuese të zërit të saj. Për herë të parë në histori, ajo e bëri fshatin tonë me gazetë. “Ec ngado, por Kallaratin mos e harro”, kjo është motua e gazetës “Kallarati”, organ i Shoqatës Atdhetare & Kulturore “Kallarati”.

Gazeta “Kallarati” nisi rrugën e vet në muajin Mars 2003, ku doli edhe numri i parë i saj. Aktualisht ka dale nga botimi nr.98. Për afro 16 vjetësh ajo u ka bërë jehonë kontributit dhe përpjekjeve të kallaratasve për çlirim kombëtar dhe demokraci, figurave më të shquara të këtij fshati në gjithë historinë e tij, jetës kulturore e artistike etj. Janë me dhjetëra kallaratas dhe jo kallaratas që kanë kontribuar me shkrimet e tyre, duke bërë gazetën të tërheqshme dhe të vlerësuar në krahinë e më gjerë.

Gazeta “Kallarati” e nisi rrugën e vet me një numër në muaj dhe me tetë faqe, por sot del në çdo dy muaj me tetë faqe.

Gazeta ka qenë dhe mbetet një organ shtypi në dispozicion të të gjithë kallaratasve për kompaktësimin dhe bashkimin e tyre, për pasqyrimin në të nga secili të vlerave, ngjarjeve e fakteve historike, kulturore, arsimore, ekonomike, zakonore etj, të bëmave e veprave të figurave të shquara të fshatit tonë, të luftëtarëve dhe dëshmorëve të tij në të gjitha kohërat. Në faqet e saj nuk janë lejuar të botohen shkrime apo shprehje që mund të krijonin qoftë dhe nuancën më të vogël të përçarjes apo të prishjes së unitetit brenda komunitetit kallaratas.

Gazeta “Kallarati” ka edhe adresën e vetë internet, ku lexuesi kallaratas dhe më gjerë mund t’i drejtohet redaksisë me shkrime, por edhe për të dhënë dhe shprehur mendime a vërejtje për ta përmirësuar më tej atë.

Kryeredaktori i pare i gazetës ka qenë i zgjedhur Zoti Gafur Shametaj, ish edhe Kryetar i Pare i Shoqatës “Kallarati, ndërsa aktualisht është z. Seit Jonuzaj.

Problemet me të cilat sot redaksia e saj ndeshet janë: mungesa e shkrimeve, vështirësi në sponsorizimin për botim, si dhe shpërndarjen e saj në rrethe.

Deri tani kjo gazetë, përveç angazhimit të redaksisë, funksionon falë vullnetit dhe pasionit të kryeredaktorit, veteranit Seit Jonuzaj, i cili ndjek të gjitha procedurat në hartimin e shkrimeve, dërgimin në shtypshkronjë e deri në shpërndarjen e saj.

Ka ardhur koha që për gazetën të angazhohen edhe intelektual më të rinj me banim në Vlorë. Tiranë e gjetkë.

UEBSAJTI KALLARATI.COM

Siç është e njohur më 1 maj të vitit 2012 me iniciativën e një grupi intelektualësh kallaratas dhe sponsorizim të bashkëfshatarit tonë, Shkëlqim Leskaj (Laçaj) u çel uebsati www.kallarati.com.

Në njoftimin për çeljen e këtij ubsaiti midis të tjerash shkruhej: “Le të shërbejë ky uebsait www.kallarati.com, nga kjo faqe e internetit, ashtu si edhe gazeta “Kallarati” dhe çdo rrjet tjetër social komunikimi për të forcuar më shumë lidhjet shpirtërore, për të mbajtur të ndezur ndjenjën e atdhedashurisë e të patriotizmit, për të mbajtur në kujtesën Tuaj vendlindjen, Kallaratin që u lindi dhe u rriti, duke rritur e forcuar me shumë ndjenjën e bashkimit e mirëkuptimit mes nesh, duke shmangur çdo keqkuptim politik a partiak. Ajo që duhet të na bashkojë të gjithëve, duhet të jetë vendlindja, Kallarati” .

Në këtë uebsait janë pasqyruar shumë rubrika si: “Rreth Kallaratit”, ku ka disa nënrubrika për njohjen e kontributit të kallaratasve për liri e demokraci; njohjen e historikut të Kallaratit; jetën e dëshmorëve të Kallaratit; mendime të ndryshme për origjinën e Kallaratit; roli i Kallaratit në Enciklopedinë e Kurveleshit; kontributin e Kallaratit në luftërat për çlirim kombëtar duke filluar që nga ato të vitit 1847 kundër reformave të Tanzimatit, në shpalljen e pavarësisë, luftën e Vlorës, luftën nacionalçlirimtare, kontributin pas çlirimit për rindërtimin e vendit të shkatërruar, e deri në ardhjen e demokracisë e në ditët e sotme etj.

Një rubrikë tjetër është “Kultura & sporti’. Nëpërmjet nënrubrikave të saj jepen informacione të shkrimeve të botuara në media mbi krijimtarinë popullore të Kallaratit, duke filluar nga rapsodët popullorë si: Xhebro Muço, Isan Sejdiu, Veliko Murati, Elmaz Çerçizi, Barxhul Musai, Hasan Shamo, Mehmet Karabolli e duke ardhur te krijuesit e sotëm si: Prof. Dr. Rami Memushaj, Neshat Tozaj, Saimir Strati, Gafur Shametaj, Hiqmet Meçaj, Seit Jonuzaj, Petrit Qejvani, Andi Meçaj, Llano Llanaj etj, të cilët me krijimet e tyre kanë ngritur më lart jo vetëm emrin e tyre, por edhe lavdinë e krenarinë e Kallaratit.

Një vend të rëndësishëm zenë edhe figurat e sportistëve kallaratas me emër si: kampionia e Evropës në qitje me pistoletë, Elisabeta Karabollaj, futbollisti Çlirim Hysi, basketbollistja Afërdita Laçaj, volibollistja Drita Shakaj, qitësja Klarita Strati, futbollisti i kombëtares shqiptare Ledian Memushaj, etj sportistë, që kanë qenë dhe janë krenaria, jo vetëm e sportit shqiptar, por edhe keranaria e Kallaratit.

“Arsimi” është një nga fushat më të rëndësishme, e cila në këtë uebsait zë një vend të vecantë duke dhënë shifra dhe fakte të etjes për dituri dhe arsim të kallaratasve, ashtu si gjithë populli shqiptar. Vend të veçantë zë roli dhe kontributi i Myftar Aliut, si një ndër të parët në Kurvelesh që përqafoi idetë e rilindësve për përhapjen e arsimit dhe të gjuhës shqipe; Telo Zhibi, i cili pasi mbaroi shkollën e Muradies (mejtepin turk) dhe filloren shqipe, bëhet nismëtar i parë i mësimit shqip në Kallarat; Meçan Qejvani, i cili pasi shkollohet dhe përkrah idetë përparimtare të kohës në moshën 18-vjeçare, hap me 1913 shkollën e parë shqipe në Vranisht, si dhe kontributi i më shumë se 90 kallaratasve që punuan në arsim në periudha të ndryshme, si edukatorë të brezit të ri në arsimin parashkollor, arsimin 9 vjeçar, arsimin e mesëm, arsimin e lartë e atë pasuniversitar, në Kallarat dhe anembanë Shqipërisë, duke fituar me djersë edhe grada të larta shkencore.

Në rubrikën “Ekonomia” jepen të dhëna, shifra e fakte qënga prona private para clirimit, kohën e kalimit në pronën kolektive me krijimin e kooperativave bujqësore, ku në Kallarat, ajo u krijua më 16 shtator të vitit 1956, dhe atë pas viteve 1990 me përmbysjen e sistemit socialist dhe kalimit përsëri në ekonominë e tregut e të pronës private.

Një rubrikë e veçantë është ajo ”Këngë &video”. Për herë të parë shikuesve u është krijuar mundësia për të parë filmin dokumentar për Kallaratin, krijuar nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Gafur Shametit, ish Kryestar i Shoqatës Kallarati; këngët e kënduara nga Zeqo Hoxha e Evgjeni Jonuzi në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1983; Hyso Xhaferaj në rolin e hedhësit si pjesëtar i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, në Grupin “Zadeja’, grupin “Antea”, Këngën Magjike e në shumë këngë të tjera.

Gjithashtu për herë të parë shikuesve u jepet mundësia të shikojnë videon me këngë të Grupit Folklorik “Bogonica”, filmuar në Televizionin Publik Shqiptar në vitin 1995 me nismën dhe realizimin e drejtpërdrejtë të Llambro Hysit dhe Birçe Ribit me këngët: “Hëna që del në Bogonicë”, “Luan ç’luan hënëza”, “Mëngjes për mëngjes”, “Një trimi”, “O bo bo djemtë mbi dete”, “Vjen lumi trubull o”, kënduar nga grupi dhe “Brohoritje” kënduar nga Zeqo Hoxha, si dhe “Djepi ynë burim floriri”, kënduar nga Evgjeni Jonuzi.

Po kështu për herë të parë edhe këngët e këngëtarit të këngës popullore me motive të jugut, Gjergji Leskaj (Laçaj) “Unë jam djal nga Labëria”, “Bijtë e Shqipërisë”, “Moj Eleni”, “Babai”, “Vashëzo moj engjëllore”, “Vajzat e hoxhës të tria”, “Do t’ia marrim këngës” dhe “Qengji i urte pi dy nëna”.

Tjetër rubrikë është edhe “Intervista”, ku janë hedhur mjaft intervista të bashkëfsharëve tanë, botuar më në gazetën Kallarati, gazetën “Labëria” e media të tjera, të cilët rrëfejnë jetën e tyre private e shoqërore e lidhur ngushtë me vendlindjen, Kallaratin.

Në këtë faqe është krijuar mundësia e njohjes në online edhe të lajmeve më kryesore të vendit në një kohë reale, lajme të marra nga ballkanweb.

Një vend të veçantë zë rubrika që i kushtohet Shoqatës “Kallarati”, që nga krijimi i saj e deri më sot, duke bërë të ditur emrat e kryesisë së shoqatës ndër vite, aktivitetet që ka zhvilluar dhe objektivat e saj në të ardhmen.

Më të veçantën do të quanim hedhjen në online të çdo numri të gazetës “Kallarati”, duke i krijuar mundësinë çdo vizitori kallaratas dhe jokallaratas te njihet me faqet e gazetës, ende pa u shpërndarë në Vlorë, aty ku ajo botohet. Përveç kësaj gazeta ka arkivin e vet, ku lexuesi gjen çdo numër të gazetës që nga çelja e këtij uebsaiti.

FACEBOOK-U “SHOQATA KALLARATI”

Vitet e fundit për mbarë njerëzimin një përdorim të gjerë kanë marrë rrjetet sociale, të cilat në një rekord e shpërndajnë lajmin anembanë globit tokësor. Nëse dikur para viteve 90 dikush që ndodhej jashtë vendit e humbiste komunikimin me familjen, pa le me fshatin dhe më gjerë qe po e po. Ndërsa sot falë zhvillimit teknologjik mjafton të kesh një celular smarfone dhe zotëron informacion pakufi.

Rrjetet sociale janë të panumërta por më popullori dhe më i përdorshmi sot është facebbok. Edhe ne si shoqatë kemi fb-un tonë me emrin “Shoqata Kallarati”, ku janë pasqyruar shumë lajme për Kallaratin, njoftime për gëzime, njoftime për ndarje nga jeta, përvjetor ngjarjesh historike, vlerësim figurash historike, të luftës, punës, kulturës, arsimit, sportit etj.

Besojmë se këto njoftime i kanë shërbyer njohjes së shumë gjërave për Kallaratin. Vetë ndjekësit e këtij rrjeti social kallaratas dhe jo vetëm kanë pasur dhe kanë mundësinë e bërjes “like” ose të një komenti sipas dëshirës së tyre.

Facebook i shoqatës administrohet nga njerëz të caktuar nga Kryesia e Shoqatës në mënyrë krejt vullnetare, pa asnjë shpërblim dhe patjetër për asnjë përfitim i çfarëdo natyre qoftë.

Në njoftimet që janë hedhur për individë të veçantë nuk ka patur asnjë kufizim, asnjë dallim, asnjë orientim nga dikush, as një qëndrim partiak në lidhje me të kaluarën e sistemit që patëm, por as të kohës së demokracisë që po jetojmë.

Kushdo që rastet e tyre personale apo familjare gëzimi apo hidhërimi, evente të ndryshme, kërkon t’i bëjë publike në fb e shoqatës ka qenë dhe është i mirëpritur t’i postojë vetë ose t’i dërgojë me mesazh në adresë të shoqatës, e cila bën hedhjen e tyre pa bërë asnjë ndryshim në përmbajtje, përveç atyre gjuhësore.

Deri tani kjo ka funksionuar mjaft mirë. Janë të shumtë ata kallaratas që rastet e tyre, sidomos njoftimet për ndarje nga jeta të njerëzve të tyre, kanë dashur t’i bëjnë publike nëpërmjet fb të shoqatës. Fb i shoqatës ka shërbyer që çdo gjë që ndodh në Kallarat ose që ka lidhje me kallaratasit kudo që ndodhen të merret vesh njëlloj si në Kallarat, Vlorë, Tiranë e deri në Amerikë apo Kanada.

Nëpërmjet fb njerëzit kanë gjetur mundësinë të shprehin ngushëllimet familjarëve të njerëzve të ndarë nga jeta. Nëpërmjet fb kanë gjetur mundësinë të urojnë njëri tjetrin për ditëlindjen. Fb tani nuk është pronë vetëm e rinisë. Tashmë fb kanë edhe më të moshuarit, biles edhe mbi 90-të vjeçar siç është rasti i veteranit Seit Jonuzi e plot të tjerë.

Nëpërmjet fb të shoqatës kemi shpërndarë mjaft shkrime, njoftime, lajme të hedhura në faqe të tjera, apo media të ndryshme, por që kanë të bëjnë me kallaratasit, të cilat janë mirëpritur e vlerësuar nëpërmjet komenteve nga anëtarët e fb të shoqatës e më gjerë.

Por megjithatë duhet të pranojmë që fb ka sensin pozitiv të marrjes në kohë rekord të lajmit, të bërjes një “like” ose të një komenti pozitiv. Kurrsesi fb i shoqatës nuk mund të shërbejë për të zgjidhur probleme apo qejfmbetje të së kaluarës apo edhe të tashmes. Fb është hapur për të na bashkuar më shumë me njëri tjetrin, jo për krijuar probleme e për të bërë replika. Nëse dikush ka edhe qëllime të tilla le të përdorë fb e tij personal por jo fb e shoqatës.

E shtrojmë këtë shqetësim, pasi kohët e fundit patëm hapur rubrikën “Të njohim vendlindjen, Kallaratin, historinë, njerëzit dhe natyrën”, ku sipas rastit kemi bërë të ditur ngjarje historike, vlerësime për figura të veçanta referuar publikimit të tyre në median e shkruar më parë, por që janë risjellë në vëmendjen e lexuesve të fb, foto nga natyra e bukur e Kallaratit, etj.
Vlerësimet dhe komentet kanë qenë të shumta e të larmishme, por asnjëherë fyese e denigruese. Mjaft komente pozitive kemi patur edhe nga miq e shokë jo kallaratas.

Por do të veçonim postimin e ditëve të fundit për një figurë të njohur e mjaft të vlerësuar në Kallarat e më gjerë, ku një anëtar i këtij grupi ka bërë një koment jo shumë të kuptueshëm e pak a shumë fyes, që u jep të drejtën pjesëtarëve të familjes dhe të afërmve të reagojnë me replika. Nuk është etike, as burrërore të krijosh situata të tilla, aq më tepër ndaj një personi që nuk jeton më. Nëse ky person ka pasur ndonjë gjë personale, i ka pasur mundësitë t’ia thoshte e ballafaqohej me të sa ishte gjallë dhe jo tani. Aq më tepër nuk mund të flasë në emër të djemve të Kallaratit, që ndoshta si person nuk ka jetuar asnjë ditë në Kallarat.

Secili është i lirë të shpreh atë që mendon, por kur është për gjëra personale nuk është etike të përdorë fb e shoqatës. Është i lirë të shkruaj çfarë mendon te fb i tij personal apo ku e mendon ai. Fb i shoqatës nuk do të shërbejë asnjëherë dhe për asnjë rast për të bërë replika pa fund, të qëllimshme dhe sidomos kur krijojnë qejfmbetje.

Kujtojmë për lexuesit, se si fshat edhe në të kaluarën, brenda ligjeve e normave të sistemit, por edhe në vitet e demokracisë nuk kemi pasur asnjë keqkuptim me njëri tjetrin.

Kemi festuar, gëzuar e qarë hallet me njëri tjetrin në ditë të mira e të vështira pa dallim, por si kallaratas dhe një fakt i tillë duhet të na bëjë krenarë.

Ashtu si vetë shoqata, gazeta, uebsajti kallarati.com edhe facebook i shoqatës kanë pasur dhe do të kenë vetëm një qëllim “Bashkimin e kallaratasve kudo që janë nën moton” “Ec ngado, por Kallaratin mos e harro”.

Sot mjeti i komunikimit më i lehti në përdorim dhe më i përdorshmi që u krijon mundësinë gjithsecilit kallaratas kudo qoftë dhe jo vetëm për t’u lidhur me vendlindjen, Kallaratin, është facebook-u i shoqatës.

Me qëllim funksionimin sa më mirë të tij do të shtronim pyetjet e mëposhtme, për të cilat kërkojmë edhe mendimin Tuaj:

1. A është i nevojshëm facebook-u i shoqatës
dhe argumentet pse?
2. Nëse po, si duhet përmirësuar dhe çfarë
duhet hedhur në të ?
3. Nëse nuk duhet të jetë, argumentet pse?

I shtrojmë pyetjet e mësipërme jo për replik e debat, por veçse për dhënie mendimesh të lira.

Faleminderit për mirëkuptimin e gjithsecilit lexues!

Loading...