Vlora çel sezonin turistik me koncert madhështor dhe spektakël fishekzjarresh

Vlora ka hapur zyrtarisht sezonin turistik 2019 me një koncert madhështor ku performuan emra të njohur të muzikës shqiptare si dhe me një spektakël fishekzjarrësh.

Nën sloganin “Lungomare on fest”, qindra qytetarë vlonjatë dhe jo vetëm, iu bashkuan atmosferës magjike.

Kryeministri Edi Rama uron një të dielë të bukur të gjithë ndjekësit në rrjetet sociale me momentet festive nga çelja e sezonit turistik të verës në Vlorë.

Një sërë aktivitetesh, I kanë paraprirë çeljes së sezonit turistik dhe me koncertin e madh që u organizua në Lungomare, Vlora është tashmë gati të mirëpresë turistët vendas dhe të huaj.

“Ejani në Vlorë”, është ftesa e Bashkisë së qytetit bregdetar, e cila synon që edhe këtë vit të kthehet në epiqendrën e turizmit veror.

Kreu i bashkisë, Dritan Leli është shprehur se Vlora të tillë atmosfere do ketë gjatë gjithë verës. “Ky koncert është një ogur i mirë për sezonin veror të vitit 2019. Ky sezon do të jetë më i suksesshmi i të gjitha viteve dhe një shembull për të gjithë vendet që bëjnë turizëm”, tha ai.

“Dua t’ju them të gjithëve që Vlora është vend i sigurt dhe të gjithë familjet mund të vijnë në Vlorë, të jetojnë në Vlorë se është një vend i sigurt. Por qëllimi është që familjarët të vijnë në Vlorë që të kalojnë pushimet. Vlora ka shumë për të thënë dhe ka shumë për të treguar dhe mikpritja e Vlorës është mikpritja, vlera më e madhe që ky qytet ka”, deklaroi Leli. /a.g

Loading...