Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra, Ramadan Trocin, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.
Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga kryesuesja Genta Tafa (Bungo), Suela Zhegu anëtare dhe Pamela Qirko, relatore, shpalli sot vendimin e shkarkimit të prokurorit Troci.
Kryetarja e trupës gjykuese, Genta Tafa çeli seancën për subjektin Ramadan Troci, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.
Troci ishte i pranishëm së bashku me përfaqësuesin ligjor, sikundër edhe përfaqësuesi ndërkombëtar.
“Trupi gjykues shqyrtoi të gjithë dokumentacionin nga institucionet e vlerësimit dhe zhvilloi një procedurë të thellë hetimi administrativ bazuar në tre kriteret: në atë pasuror, të figurës dhe aftësie profesionale. Kjo trupë gjykuese, pasi dëgjoi z. Troci në seancën e datës 9 nëntor 2018 e konsideron të përfunduar seancën dëgjimore. Në përfundim të procesit të vlerësimit trupi gjykues vendosi shkarkimin nga detyra të Ramadan Trocit”, ishte vendimi i KPK-së. /atsh