Poetja Mimoza Ahmeti prezantoi sot, në Panairin e Librit në stendën e Botimeve “Toena” vëllimin e saj të ri poetik “Bëhu i bukur”, me parathënie të Aurel Plasarit. Ky vëllim është një përmbledhje e poezive të saj të shkruara midis viteve 1982-1988.
Mimoza Ahmeti mbetet mirënjohëse për ata shokë dhe miq, studentë e më gjerë, që i patën në duar këto vargje, fletoret e saj të plota, i kaluan dorë më dorë dhe nuk bënë asokohe asnjë kallëzim.
Me sa duket, transformimet shoqërore ndodhin kur vetë njerëzit bëhen të vetëdijshëm për to dhe kanë bonsens për të pranuar ndryshimin.
Të pranishme në prezantimin e vëllimin e saj të ri poetik “Bëhu i bukur” ishin gazetarja Rudina Xhunga, botuesja e Shtëpisë Botuese Albas, Rita Petro,
Petro tha se “një poet që të bjeri në sy duhet të ketë jo disa poezi të mira, sepse ka disa njerëz të zakonshëm që mund të shkruaj një poezi të shkëlqyera, por duhet të kesh një sistem poetik dhe ajo që Moza ka bërë dhe i ka sjellë poezisë shqipe është pikërisht ky sistem i ri poetik, me një fjalor krejt tjetër nga ai fjalor që ishte i zakonshëm që të dëgjohet në letërsinë Shqipe. Moza ka qënë ajo poetja e pare e cila solli për herë të parë figurën e mashkullit e me nota sensualiteti, behu i bukur njëpitet i till për mashkullin,pasi ai është gjithonë i vrazhdë, trim .
Gazetarja Xhunga tha se Moza me këto poezi është një lajm i mirë, unë e ndjej tha ajo nuk di ta shpjegoj, rikthimi i Mozës me poezitë e asaj kohe më bën të mendoj se diçka po ndodh, thjeshtë jemi mbingopur me ato lajmet e kronikës së zëzë, me portalet, me shoubiz, po ndodh një rikthim te poezia dhe tek libri dhe te njeriu, por jo çfarëdolloj njeriu, po te Moza, e cila bën diferencën.
Ja një poezi e shkëputur nga ky vëllim i poetes Mimoza Ahmeti:
Bëhu i bukur
Bëhu i bukur sonte!
Dëbo grindjet, largimet dhe heshtjen e vrazhdë nga kujtesa.
Sillmë ndër mend mua.
Dhe veten!
Eja duke kënduar një këngë burri për jetën!
S’ka rëndësi se qysh, veç thuaja këngës trime,
me një tufë ëndrrash si tufë zogjsh
hapur në mijëra drejtime!
Jo i vogël në shpirt,
as i ngushtë!
Sonte
të dua të gjallë e të çlirë si natyra
dhe Njeri – zotërues i natyrës dhe vetes
gjithmonë!
Të dua pranë! Kuptomë!
Kam etje për krahët e tu mbi supet e mia,
për çlodhjen e kokës sime në qafën tënde
si në një qafë lisi!
Nuk të kërkon cektësia, por thellësia.
Të dua të ndershëm, të pakfjalë e të mençur;
të lodhur nga puna, kurrsesi nga jeta!
Të jesh i pastër, të biesh erë ujë si guri!
Të pafund të dua, të kem ku të mas vetveten!
Të dua të fuqishëm, të më ngresh pesh’ të gjithë ç’jam – trup e ëndërr!
Që pastaj, kur të kthehem, pas mbrëmjes
e gjer natën vonë, të shkruaj vargje
shumë herë më të bukura e më të guximta
nga këto që shkrova./atsh