Basha: “Ne kemi sakrifikuar mandatet tona për t’ju çliruar juve nga qeveria e Ramës e bërë njësh me bandat e krimit”

Kreu i opozitës Lulzim Basha ishte i pranishëm këtë pasdite në Vorë, ku ftoi banorët për të marrë pjesë në protestën e së shtunës.

Basha tha se qytetarët shqiptarë do të derdhen si uragan në Tiranë, për të shembur çdo mur tiranie të ngritur nga Edi Rama në bashkëpunim me krimin.

Sipas tij, zgjedhjet do të mund t’i bëjë vetëm qeveria tranzitore dhe shtoi se beteja e opozitës nuk bëhet për karrigen e tij, por për çlirimin e shqiptarëve nga qeveria Rama, e bërë njësh me krimin.

Basha theksoi se me rrëzimin e Ramës dhe ardhjen e tyre në pushtet do oligarkët që kanë vjedhur Shqipërinë do të kthejnë pas çdo qindarkë dhe këto para do të shkojnë për pensione, ku më i ulëti do të jetë 250 mijë lekë.

“Jam këtu për të sjellë stafetën e shpresës që po përcillet nga qyteti në qytet.

E patë dje vërshimin historik në Durrës, e patë para dy ditësh Beratin, se si gjithë Shqipëria është në këmbë për betejën për liri dhe demokraci.

Jemi për një qëllim në një betejë pa kthim, jo për pushtetin dhe karrigen e Bashës nuk është betejë për pushtet, për parti, bëhet për ju vëllezër dhe motra , për qytetarët e thjeshtë.

Ne kemi sakrifikuar mandatet tona për t’ju çliruar juve nga qeveria e Ramës e bërë njësh me bandat e krimit”,- tha Basha.

Ndër të tjera, ai tha se demokratët nuk do të lejojnë zgjedhje e 30 qershorit.

“Rama tani bëhet gati që për hir të paktit të tij me krimin të asgjësojë demokracinë.

Me një mesazh po i them se nuk do lejojmë më zgjedhje me krimin dhe me hajdutët, do ketë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Ramën kryeministër.

Zgjedhjet do bëhen përmes qeverisë tranzitore dhe të zgjedhurit e shqiptarëve nuk do jenë më palë me krimin e bandat. Kjo është beteja jonë dhe në këtë betejë shqiptarët na janë bashkuar si kurrë më parë”,- tha Basha.

Loading...