Ky është qyteti shqiptar që shpenzon më shumë se europianët për ushqimin në lokale

Ushqimi është një nga kënaqësitë më të mëdha të jetës dhe që prej kohëve të lashta e deri në ditët e sotme njerëzit kanë shpenzuar dhe vijojnë të shpenzojnë shuma marramendëse për t’ia dhuruar vetes së tyre këtë kënaqësi.

Po cilët janë ato qytete në Shqipëri që shpenzojnë më shumë për të shijuar ushqime në restorante?

Të gjithë i njohim shkodranët si njerëz të qejfit, me humor dhe Shkodrën si djep i kulturës. Shkodra mban rekordin për shpenzimet në restorante dhe hotele, ku sipas të dhënave në Anketën në Buxhetit të Familjeve 2017, shpenzimet për restorantet dhe hotele ishin sa 9.5% e totalit të të gjitha shpenzimeve.

Mes tundimit nga krapi i liqenit, lokalet buzë lumit, apo alternativat e detit (Velipojës) e zonave malore aty rrotull, shpenzimet për restorante në Shkodër janë edhe më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, ku sipas të dhënave të Eurostat zinin rreth 8% në totalin e shpenzimeve të familjeve.

Sipas Monitor, krahasuar me mesataren kombëtare, familjet në Shkodër shpenzojnë gati dyfish më shumë. Në 2017-n shpenzimet mesatare në vend për restorante dhe hotele ishin 5%.

Shpenzimet për “Restorante dhe hotele” kanë regjistruar një rritje prej 11,8 %, krahasuar me vitin e kaluar, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve të nëngrupit “restorante”, raporton INSTAT në anketë.

Po cilët janë qarqet e tjera me shpenzimet më të larta në restorante?

Pas shkodranëve, shpenzimet më të larta në raport me totalin i kanë beratasit. Qarku i Beratit shpenzoi mesatarisht në 2017-n 6.3% për restorante dhe hotele, duke u pasuar nga Fieri (6%), Lezha (5.8%) dhe Tirana me 5.5%.

Korça, gjithashtu, i ka shpenzimet për restorante më të larta se mesatarja kombëtare me rreth 5.4% të totalit.

Në qarkun e Dibrës, shpenzimet për restorante dhe hotele në 2017-n ishin 4.2%.

Po cilat janë qarqet që kanë shpenzimet më të ulëta?

Durrësi dhe Vlora janë të njohur, për vetë pozicionimin e tyre buzë detit, për restorantet e mira të peshkut, mirëpo vetë vlonjatët dhe durrsakët nuk i shijojnë. Sipas të dhënave të nga Anketa e Buxhetit të Familjeve, familjet në Vlorë, shpenzuan në restorante vetëm 2.9% të totalit, thuajse sa gjysma e mesatares kombëtare, ndërsa në Durrës vetëm 2%, më pak se gjysma e mesatares kombëtare.

Edhe Gjirokastra është e njohur për një kuzhinë me receta të larmishme, mirëpo gjirokastritët preferojnë që ushqimin ta shijojnë në shtëpi. Sipas të dhënave të ABF 2017 shpenzimet për restorante janë 2.9%. Edhe Elbasani ka përqindje të ulët të shpenzimeve për restorante me rreth 2.6%.

Shpenzimet më të ulëta i ka qarku Kukës, me vetëm 1.1% të totalit të shpenzimeve për restorante dhe hotele.

Loading...