Protesta e 25 majit e mbushur më shumë me simbolika

Protesta e 25 majit duket se do jetë e mbushur më shumë me simbolika.

Belind Këlliçi, kryetar i forumit rinor të PD, zbuloi për A2 CNN detaje nga protesta e gjashtë e opozitës që do të mbahet ditën e sotme.

Ai u shpreh se në ndryshim nga protestat e mëparshme do të ketë edhe simbolika të shtuara si ato të tepsive të mbushura me euro. Këlliçi thekson se protesta do të jetë paqësore, madje ngulmon se dhunë nuk ka pasur në asnjë protestë nga ana e PD dhe simpatizantëve të saj.

“Tepsi të mbushura me euro dhe lekë, një simbol i kësaj qeverie. Të rinjtë e FRPD do të jenë në rreshtin e parë. Tymueset janë për efekt dekorativ dhe jo për dhunë. Molotovët nuk kanë të bëjnë fare me PD. Koktej ka patur, por jo nga PD.

Nuk do të ketë kurrë akte dhune. Thirrjet janë bërë vetëm për paqe. Unë kam qenë vetë në spital dhe nuk ka pasur asnjë polic të shtruar. E gjitha është propagandë. Kjo nuk është e vërtetë dhe nuk ka për të qenë e vërtetë. Kurrë nuk do të ketë thirrje për dhunë nga PD. Protesta e sotme do të jetë madhështore dhe sigurisht nuk do të ketë asnjë akt dhune, por vetëm shqiptarë për të protestuar për të ardhmen e vendit”, u shpreh Këlliçi.

Nga një grup të rinjsh të FRPD pritet të lëshohen 500 balona me parrullat “Rama ik”, një risi për protestën e sotme.

Protestuesit mbajnë vuvuzela dhe daulle, ndërsa mbi 1500 forca policore dhe të gardës janë angazhuar për mbrojtjen e godinave qeveritare.

Loading...