Tolerancë zero në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, u theksua sot në takimin e zhvilluar në Tepelenë nga Taskforca Vendore e Luftës kundër Trafikimit dhe Kultivimit të Kanabisit.
Në këtë takim morën pjesë zv/ministrja e Brendshme dhe njëkohësisht drejtuese e Task-Forcës Qendrore e Luftës kundër Trafikimit dhe Kultivimit të Kanabisit, Rovena Voda, zv/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Aida Haina, kryetari i bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, Drejtori Vendor i Policisë Perlat Vatoci si dhe pjesëtarë të tjerë të Taskforcës Vendore.
Zv/ministrja e Brendshme, Voda kërkoi nga strukturat përgjegjëse plane kontrolli veprimi në terren me data të paracaktuara nën monitorimin e Prefektit të qarkut dhe tolerancë zero në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Në fjalën e tij, Prefekti i qarkut Aliaj vlerësoi arritjet dhe punën e bërë nga institucionet përgjegjëse në kuadër të luftës kundër mbjelljes, kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.
Pavarësisht masave të ndërmarra dhe rezultateve të arritura, Prefekti theksoi se “është e domosdoshme nevoja për vigjilencë të shtuar duke vijuar me një intensitet të lartë takimesh dhe kontrollesh në terren”./atsh