Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli u shpreh se “ka qenë një premtim i të gjithëve që bulevardi në prag të sezonit turistik të ishte gati për qytetarët e Vlorës dhe sigurisht për ata që do të vizitojnë Vlorën në këtë sezon turistik”.
Sipas tij, pjesa më e madhe e bulevardit është në dispozicion të qytetarëve.
Ndërsa bashkia e Vlorës sqaron se “bulevardi është i lirë për qarkullimin e mjeteve nga rrethrrotullimi në Skelë deri tek kryqëzimi i rrugës “(Kryqëzimi i Çipajve)” gjatë gjithë këtij segmenti do të jenë të aksesueshëm të gjitha intersektimet me bulevardin”.
Bashkia bën të ditur gjithashtu se “nga firma zbatuese e punimeve, për të vazhduar me mbylljen përfundimtare të punimeve, do të bllokohet rruga nga unaza (rruga e gjykatës në drejtim të xhamisë Vlorë). Aksi nga kryqëzimi i Kollozit në drejtim të xhamisë Vlorë do të jetë i bllokuar me qëllim përfundimin e punimeve”.
Duke falënderuar qytetarët për mirëkuptimin, bashkia e Vlorës bën të ditur se “jemi angazhuar maksimalisht për përfundimin e punimeve përpara sezonit turistik”.
Pas ndërtimit të shëtitores përgjatë bregdetit “Lungomare”, e cila i dha strukturë moderne qytetit, projekti për rikonstruksionin e bulevardit e transformon atë në shtyllën kurrizore të identitetit të Vlorës./atsh