Ligji i ri për Veterinarinë, vaksinim e matrikullim të blegtorisë falas

Ligji i ri për “Shërbimin Veterinar”, parashikon vaksinimin dhe matrikullimin e kafshëve blegtorale falas pa asnjë pagesë.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi ka zhvilluar një takim konsultativ me përfaqësues të shërbimit veterinar, Urdhrin e Veterinëve dhe aktorëve të tjerë të interesuar në këtë fushë, me të cilët diskutoi mbi hartimin e ligjit të Shërbimit Veterinar, i cili shumë shpejtë, siç tha Peleshi, “do të kalojë në qeveri dhe më pas në parlamentin shqiptar për miratim”.

Për Ministrin Peleshi ky ligj synon garantimin e sigurisë ushqimore për të gjithë popullatën dhe dhënien fund të ngërçeve të deritashme në lidhje me kompetencat që duhet të kryejë çdo dikaster shtetëror, duke ndarë detyrat dhe rolet përkatëse.

“Reforma veterinare që është pjesë e Ligjit të Veterinarisë, parashikon thjeshtimin e strukturës së institucioneve të kontrollit, monitorimit, shërbimeve veterinare. Nga ana tjetër, AKU-ja do ta zgjerojë fushën e vet të kompetencës dhe përgjegjësisë për të mundësuar realisht sigurinë ushqimore nga ferma në tavolinë”, – tha ministri.

Çfarë do të ndodhë me agjencitë e sapokrijuara të Shërbimit Veterinar?

Ministri Peleshi shpjegoi se, nuk do të ketë më përgjegjësi të centralizuar për të gjitha funksionet nga policimi deri tek shërbimet, por do ta ketë më të qartë, fushën e vet të përgjegjësisë çdo veteriner.

“Do të shtohet numri i veterinerëve dhe ne synojmë të arrijë mbi 500 veterinerë. Sot kemi 166. Më këtë numër veterinerësh që ne synojmë të arrijmë në zbatim të ligjit që do të miratohet së shpejti, për Shërbimin Veterinar, ne ia dalim të kemi në çdo njësi administrative, së paku një veteriner”, -tha Peleshi

Ministri ka ftuar të gjithë aktorët të luajnë një rol aktiv në përgatitjen e këtij ligji, i cili parashikon një revolucion në sektorin bujqësor dhe blegtoral.atsh

Loading...