Detaje – Tensionet në Veri të Kosovës

Autoritetet e Kosovës sot në orët e hershme të mëngjesit kryen edhe një aksion policor në pjesën e veriore të vendit, ku u arrestuan zyrtarë të policisë së Kosovës që keqpërdorën detyrën zyrtare e u përfshinë në kontrabandë.

Midis personave të arrestuar ka patur edhe shtetas serb, çka ka nxehur tepër situatën.

Kundër policisë speciale atje u përdorën edhe plumbat, por fatmirësisht zyrtarët e saj shpëtuan me plagë jo aq të rënda. Ndërsa, Beogradi tensionoi më shumë situatën duke cilësuar operacionin, si një ndërhyrje ushtarake.

Të gjitha këto veprime të ndodhura në një situatë tensionesh ndërmjet Prishtinës e Beogradit kur përmendet ndarja ose shkëmbimi i territoreve dhe disa javë para Samitit të Parisit kur dy palët do të ballafaqohen përsëri, i ka dhënë një drejtim tjetër, ndryshe nga ajo që ishte, situatës.

Detaje nga operacioni:

Të gjithë zyrtarëve të Njësisë Speciale të policisë së Kosovës mbrëmë pas mesnatës u kishte shkuar një thirrje e njëjtë.

“Urgjentisht me uniformë në trup të paraqiteni në stacionin policor Qendra në Prishtinë”. Ky kishte qenë urdhri i komandantëve për vartësit e tyre. Këta të fundit në orën 03:00 të mesnatës u paraqitën të gjithë në stacionin policor. Duke u përgatitur kështu për një aksion i cili u zhvillua në disa qendra të Kosovës.

Aksioni në Zubin Potok
Caku ishte luftimi i krimit të organizuar, arrestimi i disa personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe marrja me kontrabandë. Por, zyrtarët kryesorë të shtetit thanë se nuk e kishin në fokus vetëm Veriun e vendit.

Në orën pesë të mëngjesit autoblindat e zyrtarë të policisë së Kosovës, ndezën alarmin e zbarkuan në Zubin Potok, komunë kjo që gjendet në veriun e Mitrovicës e që shumica është e banuar me serbë. Aty nisi aksioni për arrestimin e disa personave që kryesisht kishin të bëjnë me krim të organizuar.

Zyrtarët e Njësisë Speciale të Kosovës
Por jo gjithçka ishte e lehtë për zyrtarët policor kosovarë. Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës, kanë hasur në rezistencë të armatosur në veri të Kosovës, si dhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare.

Policia është detyruar të përdorë mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor. Nga këto të shtëna me armë u lënduan katër polic kosovarë.

Gjendja shëndetësore e tyre sipas mjekëve është stabile. Njëri është plagosur kërdhokull, tjetri ka pasur gërvishje me plumb, si dhe të dy policët e tjerë u lënduan gjatë aksionit i cili u ndërmor sot në mëngjes në këtë zonë.

Ky operacion policor përfshiu disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas. Nga i gjithi, u ndaluan 19 zyrtarë policorë dhe të disa qytetarë.

Por, krejt operacioni i cili u zhvillua në orët e para të mëngjesit të 28 majit ishte menduar gjatë nga ana e prokurorisë së shtetit.

Barrikadat e vendosura nga serbët
Rreth një vit kanë zgjatur hetimet që sot çuan në arrestimin e dhjetëra personave. Kështu ka deklaruar prokurori special në Kosovë, Sylë Hoxha.

Sipas tij, për një vjet rresht, Prokuroria Speciale ka grumbulluar provat dhe më pas ka marrë nga Gjykata Themelore e Prishtinës urdhrin për kontroll në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të të gjithë të dyshuarve.

“Në mesin e të dyshuarve kemi eprorë dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, kemi pjesëtarë të nacionalitetit serb, pjesëtarë të nacionalitetit shqiptar, të atij boshnjak dhe kështu me radhë.

Në mesin e të dyshuarve kemi edhe qytetarë – nuk janë zyrtarë – të cilët i kanë kryer veprimet e tyre, të cilat dyshohet se janë kontrabandim i mallrave dhe për vepra të ngjashme”, ka thënë prokurori Hoxha.

Vetura e vendosur në rrugë
E operacioni është zhvilluar në 12 lokacione ku janë arrestuar 11 pjesëtarë policorë të nacionalitetit serb, 4 të nacionalitetit shqiptar si dhe 4 të tjerë janë të nacionalitetit boshnjak. Nga këta njëri ka qenë me gradën e kapitenit, pra komandant stacioni, si dhe tre të tjerë nën gradën e rreshterit.

Për aksionin e zakonshëm të policisë së Kosovës reaguan edhe zyrtarët nga Beogradi. Presidenti serb, Aleksandër Vuciq ka thënë se e ka të gatshme ushtrinë serbe që të intervenojë.

“Nëse rrezikohet rendi dhe jeta e popullit që jeton në veri të Kosovës, ushtria jonë do të mbrojë popullin tonë. Do të mendoj mirë dhe do të vendos, por nëse ka ndonjë përshkallëzim, unë mund të them vetëm “Serbia do të fitojë”, ka shtuar ai.

Por ndryshe nga presidenti serb është shprehur homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi. Presidenti deklaroi se aksioni i Policisë së Kosovës, është një ndërmarrje e institucioneve të Kosovës për rend dhe ligj, në një hapësirë të gjerë të vendit.

Autoambulancat në gjendje gatitshmërie për policët e plagosur
“Ka të arrestuar edhe zyrtarë, por edhe qytetarë, në komuna të ndryshme të Kosovës, të nacionaliteteve të ndryshme, shqiptarë, serbë, boshnjakë. Është i arrestuar edhe një rus, i cili është kamufluar në petkun e diplomatit, për të penguar Policinë e Kosovës në aksionin e tyre”, ka thënë Thaçi.

Edhe Kryeministri Haradinaj ka theksuar se bëhet fjalë vetëm për zbatim të ligjit e asgjë tjetër ndëra u bëri thirrje serbëve të rrinë tq qetë.

Ndërkaq lidhur me aksionin policor në veri ka reaguar edhe forca shumëkombëshe e KFOR-it.

Zyrtari i Policisë së Policisë së Kosovë
Kjo forcë paqeruajtëse informon se Policia e Kosovës po kryen një operacion policor në tërë Kosovën, pas fletë-arrestimeve të lëshuara nga Gjykata e Prishtinës në lidhje me një hetim mbi korrupsionin.

““Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe është i gatshëm të intervenojë, nëse kërkohet si përgjegjës i tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha Komunitetet, në përputhje me mandatin e vet sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, theksohet në komunikatën e KFOR-it.

E si aksion normal, aksionin e sotëm e kanë cilësuar edhe zyrtarë nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësja e BE’së, Maja Kocijançiq, ka theksuar se aksioni policor që po zhvillohet në Mitrovicë dhe lokacionet tjera në Kosovë, është në përputhje me urdhrat e gjykatës , duhet të zbatohet në përputhje me ligjin.

“Operacionet policore duhet të sjellin besimin në sundimin e ligjit. Operacionet e tilla duhet të forcojnë përpjekjet për normalizim dhe jo t’i dobësojnë ato”, ka thënë Kocijançiç./Express/

Loading...