Rama: “Kurani nuk i përjashton kundërshtarët, i nënkupton si pjesë e jetës, por thotë luftoni kundërshtarët, por pa dalë nga shtegu i Zotit “

Edhe nga darka e iftarit, kryeministri Edi Rama ka lëshuar mesazhe politike, të cilat i adresoheshin kundërshtarit të tij, Lulzim Basha.

Përpara përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe selive diplomatike në vendin tonë, Rama foli për pushtete që ndërrohen, apo për të dëgjuar zërin e arsyes, pasi sipas kryeministrit, kush devijon, humb pushtetin mbi veten.

“Në këtë sofër tradicionale për ne, që e shtrojmë këtu sepse organizatorët që më ndihmojnë kishin parë në iphone që do bjerë shi, unë i thash që shi nuk ka.

Unë i thash që shi nuk ka, por dëgjuan iphonin dhe shi nuk ra, dhe qielli është i hapur, por pak rëndësi ka edhe atje edhe këtu jemi të rrethuar nga mure që rrezatojnë histori pushtetesh dhe që na mësojnë nëse kemi veshë të dëgjojmë që pushtetet ndërrohen, por shtegu i arsyes mbetet dhe kush prej tij devijon, humb pushtetin mbi vetëveten.

Qoftë dhe kjo banesë meditimi sot e kthyer në të tillë për shkak të sofrës së Iftarit një shëmbëlltyre dhe paqe dhe dasht Zoti edhe më gjerë”, tha Rama.

Kundërshtarëve politikë, Rama iu drejtua edhe kur lexoi pasazhe nga Kurani. “Kurani nuk i përjashton kundërshtarët, i nënkupton si pjesë e jetës, por thotë luftoni kundërshtarët, por pa dalë nga shtegu i Zotit dhe mos u bëni faqezinj dhe bukëshkalë se Zoti nuk i do bukëshkalët. Lufto vetëm në shtegun e Zotit dhe përgjegjës je për vetën tënde dhe sjelljen tënde.

Dhe shtegu u Zotit për ata që s’besojnë është ai i arsyet. Zoti të ndihmon për këdo që për shtegun e arsyes kërkon ndihmë dhe i ndriçon arsyen dhe kujtdo që i drejtohet pa i diktuar se çfarë duhet të besojë dhe kë duhet të besojë”, tha ai.

Loading...