Nga takimi që ka zhvilluar me qytetarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike në zonën e Kinostudios në Tiranë, kreu i PD-së Lulzim Basha bëri apel ndaj tyre për pjesmarrje masive në protestën e 2 Qershorit përpara kryeministrisë.
Basha tha se sipërmarrësit pyesin teksa mirëpresin platformën e PD-së se kur do të rrëzohet Rama nga pushteti duke thënë prerë se kjo sipas tij do të ndodh të dielën e ardhshme në orën 19:00.
“Ndërkohë që mirëpresin platformën tonë ekonomike, 98 % e sipërmarrësve kanë vetëm një pyetje: Kur do ta hidhni, kur do ta rrëzoni? Sot është rasti këtu në Tiranë, të flas fare hapur e sinqerisht me këdo që e bën këtë pyetje, sepse i ka ardhur aty ku smban më. Pyetja nuk i drejtohet vetëm Partisë Demokratike dhe vetëm Lulzim Bashës as edhe vetëm opozitës.
Rrëzimi i të keqes është detyrë kombëtare, ndaj përgjigjen po e jap unë, në emër të gjithë atyre që keni pyetur të dashur bashkëqytetarë se kur do ta rrëzojmë: Ejani të dielën në orën 19 në protestën tonë, bashkohuni me lëvizjen tonë, bëhuni pjesë e çlirimit të Tiranës, e çlirimit të Shqipërisë, nga kjo bandë hajdutësh dhe kriminelësh. Protestat dhe bashkimi popullor janë rruga e vetme e rezistencës, e përballjes, e largimit të të keqes, e rrëzimit të bandës kriminale në pushtet”, deklaroi Basha.