Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është absolutisht i bindur se gjërat do të zhvillohen në drejtimin, që, sipas tij, e ka paralajmëruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kur ka folur për mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Ditë më parë, presidenti i Kosovës, Thaçi, tha se po krijohen rrethana të reja, të cilat, sipas tij, e ofrojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë si zgjidhjen më të mirë.
Por, Vuçiq tha se komuniteti ndërkombëtar e ka siguruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
“Para tri ditësh iu kam thënë përfaqësuesve evropianë për këtë që po më pyesni (bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë) dhe ata më kanë thënë: Aleksandar, kjo nuk do të ndodhë. Ne nuk do ta lejojmë kurrë”, tha Vuçiq, por shtoi se pikërisht këto deklarata janë arsyeja përse ai beson se një gjë e tillë do të ndodhë.
Kosova, qysh në vitin 2011, është në proces të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Por, procesi ka ngecur qysh në fund të vitit të kaluar, për shkak të, siç është thënë, taksës që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia.