Tirana ndezi sot, pak më herët se vitet e tjera, dritat e pemës së Krishtlindjes, të vendosur në sheshin e ri “Skënderbej”.
Kori i Liceut Artistik dhe Banda Frymore e qytetit të Tiranës ishin kujdesur për të krijuar një atmosferë festive, ndërsa dhjetëra fëmijë të veshur me ngjyrat e festave të fundvitit dhe qytetarë të shumtë kishin rrethuar pemën gjigante të Vitit të Ri.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa mori pjesë në ndezjen simbolike të dritave të pemës, u shpreh se edhe Tirana i bashkohet këtë vit kryeqyteteve të botës, të cilat festat kanë vendosur t’i nisin pak më shpejt.
“Jam shumë i lumtur sot që ne do të hapim dritat e festës pak më herët. Disa prej jush kanë çuar peticione, kanë mbledhur firma, në klasë, lagje në shkollë: “Lali Eri, a mund të zgjasin pak festat se mbyllen shumë shpejt?”” – tha Veliaj.
Duke iu drejtuar fëmijëve kryebashkiaku Veliaj theksoi se “festat nuk i zgjasim dot pas 1 janarit dhe ajo që mund të bëjmë është si t’i fillojmë pak më herët”.
“Në të gjitha qytetet e botës kanë filluar festat pak më herët, të gjithë qytetet nga të cilat ne mundohemi që të mësojmë i kanë filluar pak më herët festat. Kjo është arsyeja që ne do t’i hapim që sot dritat e festës, jo vetëm këtu në sheshin “Skënderbej”, por edhe tek liqeni, këtë fundjavë edhe tek Pazari i Ri dhe në të 24 njësitë e Tiranës, për të siguruar që i gjithë kryeqyteti, nga cepi më cep, ka një stinë festash të jashtëzakonshme”, – nënvizoi Veliaj.
Kryetari i bashkisë u shpreh se “sot duhet të kujtojmë se për çfarë i bëjmë festat. Për të ndenjur pak më shumë me njëri-tjetrin, më fëmijët që marrin pushimet, për të qenë më solidarë për të ndihmuar të tjerët, për të ndihmuar ata njerëz që janë nevojë”.
“Ashtu siç e bëmë vjet, që e gjithë stina e festave ishte një stinë solidariteti për të ndihmuar të moshuarit, ata që janë në qendrat sociale, për të ndihmuar personat e vetmuar që janë në institucione si tek Shtëpia e të Moshuarve dhe Shtëpia e Fëmijëve”, shtoi ai.
Kryebashkiaku shprehu bindjen se Tirana këtë vit do të jetë më solidare.
Kryetari i bashkisë u bëri thirrje banorëve të kryeqytetit që së pari të festojnë festën e çlirimit të Tiranës dhe më pas edhe festat kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit.
“Ne po na afrojnë festat tona kombëtare; festa për qytetin është 17 nëntori dhe dua që t’i japim një duartrokitje të gjithë atyre që janë veteranë dhe kanë dhënë një kontribut që ky qytet të jetë një qytet i lirë. Kemi festat e 28-29 nëntorit, ndaj dua që secili prej jush, ata që po na ndjekin dhe ju që keni ardhur këtu në shesh të vëmë secili nga nesër, që është 17 nëntori, një flamur në ballkon, në zyrë tek kompjuteri, në dritare, tek makina, për të kujtuar që mbi të gjitha jemi shumë krenarë që jemi pjesë e këtij kombi, e kësaj historie dhe e këtij qytetërimi që krijojmë në Tiranë”, theksoi kryetari i bashkisë.
Ai tha se ashtu si për çdo familje periudha e fundvitit është dhe një kohë ku çdo kush bën bilancin e punëve apo asaj që ka arritur për gjatë një vit. Ndaj, theksoi është shumë e rëndësishme të kujtojmë se sa punë të mira janë bërë në këtë qytet këto tre vite.
“Unë dua ta përdor këtë mundësi edhe në emër të familjes sime, dua të kujtoj që jemi si një familje e madhe në Tiranë. Ne në Tiranë rrëzohemi bashkë, por edhe ngrihemi bashkë; i kalojmë sfidat bashkë, por edhe sukseset i korrim bashkë. Unë dua t’u falënderoj me gjithë zemër për tre vite të mrekullueshme që e kemi çuar Tiranën në drejtimin e duhur me punë, me dashuri dhe me energji pozitive. Unë e di që sa herë që bëhet punë në Tiranë ndodh ndonjë sherr vogël, digjet ndonjë gomë, hidhet flakë, dua të falënderoj të gjithë policët e Policisë Bashkiake që edhe kur ka dhunë sillen me qytetari. Dua t’i garantoj qytetarët e Tiranës, qyteti fiton gjithmonë mbi dhunën, puna fiton gjithmonë mbi flakën, qytetaria dhe kultura fiton gjithmonë mbi vulgaritetin. Premtimi im për ju është që edhe në këtë sfidë dhe në çdo sfidë tjetër që do të na vijë ne do të shikojmë interesin e shumicës, interesin e të drejtës”, perfundoi Veliaj.
Dritat festive kanë nisur të zbukurojnë Tiranën, duke sjellë një atmosferë të gëzueshme në prag të muajit dhjetor, gjatë të cilit festojmë Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Për të dytin vit radhazi në sheshin “Skënderbej” është ngritur edhe Fshati i Festave. /atsh
https://www.facebook.com/ErionVeliaj/videos/121477095406498/?t=0