Lezhë – 60-vjeçarja martohet me djalin 40 vjet më të vogël

Qyteti i Lezhës është vendosur në qendër të vëmendjes pasi djemtë e tij po bëhen burrat e grave të moshuara për një arsye aspak të këndshme.

Në tetor të vitit të shkuar një grua 60 vjeçe iu drejtua gjykatës së Lezhës dhe kërkonte të ndahej nga bashkëshorti i saj gati 40 vjet më i ri në moshë.

Edhe pse martesa me djalin e ri ka zgjatur më pak se një muaj, gruaja i tha BIRN se nuk është aspak e penduar për zgjedhjen që bëri.

“Erdhi me kontaktoi një njeri imi dhe më kërkoi të ndihmoja një shok të tijin për tu martuar në gjendje civile me të, pasi kishte probleme me dokumentet. Unë pranova, kryem të gjithë procedurat në gjendje civile dhe pas një muaj përfunduam në gjykatë për divorc”, tregoi 60-vjeçarja.

“Për këtë nder që i bëra ai më fali 50 mijë lekë dhe realisht u gëzova shumë, pasi jetoj në kushte të vështira ekonomike dhe pa asnjë të ardhur”, shtoi gruaja nga Lezha.

Historia e martesës jetëshkurtër midis gruas 60-vjeçare dhe të riut lezhjan nuk është e pazakontë. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se gjatë 2 viteve të fundit vetëm në Gjykatën e Lezhës ka pasur rreth 50 divorce të ngjashme.

Punonjës të gjendjes civile dhe të bashkisë së Lezhës i thanë BIRN se këto martesa janë fiktive. Ato shtuan se këto marrëdhënie juridike zgjasin për pak javë dhe bëhen për të marrë një pasaportë me një mbiemër të ri. Pasaporta me mbiemër të ri i mundëson të rinjve që i është ndaluar hyrja në Bashkimit Europian të emigronin përsëri.

“Është shqetësues fakti, që individë të ndryshëm, një të drejtë ligjore ngushtësisht personale, për shkak të vështirësive sociale dhe ekonomike, detyrohen ta ezaurojnë si një veprim procedural fiktiv, pa pasur si qëllim formalizmin e një raporti real martesor me qëllim krijimin e një familjeje”, tha nënkryetarja e bashkisë Lezhë Alfrida Marku.

Loading...