Fantomasi mund të jetë një nga kujtimet më të frikshme të një brezi shqiptarësh, të rritur në kohën e komunizmit, kur të gjithë ishin të etur për filma dhe sidomos për aventura fantashkence.
Banorët nën regjimet komuniste bombardoheshin me filma vendas, të cilët, pavarësisht vlerave të shumta artistike, ishin të tejmbushur me propagandë dhe për nga realizimi ishin larg emocioneve që prodhonte Hollivudi, që ishte i ndaluar në atë kohë.
“Fantomasi”, një film francez i viteve ’60, ishte ndoshta i vetmi film që kishte komedinë, fantashkencën dhe “horrorin” që Hollivudi e prodhonte me bollëk, dhe që u lejua të transmetohej nën regjimin komunist.
Duke qenë i vetmi, mori famë të jashtëzakonshme në të gjitha vendet komuniste.
Një nga arsyet që lejohej, ndoshta, ishte për faktin që Fantomasi ishte një kriminel që arrinte t’ua hidhte autoriteteve çdo herë, dhe policia perëndimore paraqitej si e paaftë përballë tij.
Kryepolici që duhej të kapte e që dështonte gjithnjë, luhej nga komediani Luis de Funes, i cili i portretizonte policët si qesharakë.
Personazhi negativ bëri aq bujë në Bashkimin Sovjetik, sa u frymëzuan edhe të rinjtë me prirje kriminale.
Ata vidhnin dyqane cigaresh, digjnin kuti postare ose kryenin krime të tjera të ngjashme ndaj pronës publike, dhe linin pas letra “E bëri Fantomasi”, nëjsoj si në film.
Një ma niak, madje, nisi të vendosë zjarre pa fund, derisa u kap.
Sikur të mos mjaftonte kjo, u krijua edhe Banda e Fantomasëve.
Ata nuk kishin asnjë lidhje me filmin, por i kryenin grabitjet me maska gome që i bënte të dukeshin si Fantomasi. Kaq mjaftoi që i gjithë qyteti rus ku vepronin të pushtohej nga paniku.