Ja çfarë duhet të bëni një natë para Fiter Bajramit

Vetëm një natë para festës së madhe, në fund të muajit të Ramazanit, një nga muajt më të dashur të besimtarëve myslimanë, të gjithë janë gati.

Dita e Bajramit duhet të jetë vërtet një ditë e madhe feste, ku të festojmë për arritjet e këtij muaji dhe mos të jetë ditë pengjesh që nuk arritëm të shfrytëzonim begatitë e këtij muaji.

Muajin fisnik të Ramazanit, çdo familje besimtare e përjeton ndryshe. Shtrimi i iftareve për miq, familjarë dhe dashamirës është një traditë fetare që shqiptarët e kanë trashëguar brez pas brezi, si pjesë të mikpritjes dhe vëllazërisë.

Më pas, njihen si tradicionale edhe takimet dhe vizitat pas iftarit për çaj e kafe, ku nuk mungojnë ëmbëlsirat.

Nata para Bajramit quhet darka para Bajramit, e cila kalohet me përgatitje të gatimeve të Bajramit, pastrimit të shtëpisë, bërjes së planeve se si do të kalojë festa e Bajramit. Dorëzimi i Fitreve (shumë parash ose ushqime për njerëz në nevojë për festimin e festës së Bajramit) bëhet në këtë natë për arsye që edhe nevojtarët të ushqehen në ditën e Bajramit.

Traditë ka qenë edhe blerja e veshjeve të reja për fëmijët, të cilët në mëngjes i gjenin ato ose në këmbët e krevatit, ose nën jastëk. Rënia e daulleve që lajmëronte çeljen e iftarit, në ditën e Bajramit fillon që pas faljes së namazit të sabahut.

Lodraxhiu ishte dikush që e bënte në mënyrë vullnetare e si rrjedhojë, atij i bëhej pjesë në kurban dhe në ushqimet e Bajramit. Që në orët e para të mëngjesit, nis kremtimi i Fitër Bajramit me faljen e Sabahut. Për të gjithë myslimanët, kjo festë ka një rëndësi të veçantë, pasi u jep atyre mundësinë të krijojnë lidhje me Zotin dhe me njerëzit e tjerë.

Përgatitjet për festën

Përgatitjet e festës së Fitër Bajramit nisin që një ditë më parë. Gjatë mbrëmjes amvisat angazhohen për të përgatitur gatimet që do të konsumohen gjatë ditës së nesërme, kur do të kremtohet festa. Vëmendje më të madhe u kushtohet ëmbëlsirave. Ëmbëlsira më e përdorur në familjet myslimane është bakllavaja, por nuk përjashtohen edhe ëmbëlsira të tjera. Sipas preferencës mund të gatuhet hallvë, kadaif, trileçe etj. Në mëngjes herët duhet të bëhet larja e trupit dhe veshja e rrobave më të bukura ose të reja dhe e stolive. Para se të dilet nga shtëpia, preferohet të hahet ëmbëlsirë ose hurma për të treguar se kjo ditë është festë dhe nuk ka më sakrificë agjërimi. Më pas, të gjithë besimtarët në orarin e caktuar falin namazin e Bajramit në mënyrë kolektive.

Menuja e festës

Kjo festë si dhe ajo e Kurban Bajramit janë festat më të mëdha të kalendarit mysliman, prandaj edhe shtrimit të tryezës i kushtohet një rëndësi e veçantë. Sigurisht që prania e mishit është e padiskutueshme në një tryezë feste në Shqipëri. Gjatë kësaj feste nuk është e detyrueshme që të bëhet kurban, prandaj besimtarët mund ta blejnë mishin e therur. Preferohet më shumë mishi i qengjit, por edhe mishi i viçit apo shpendët gjejnë hapësira për t’u përfshirë në menunë e kësaj feste. Mund të gatuhet mish qengji në furrë i shoqëruar me garniturë. Në tryezë nuk mungojnë as frutat e stinës.

Vizitat te të afërmit

Gjatë kremtimit të kësaj dite feste, pas një muaji sakrificash, besimtarët tentojnë të krijojnë një lidhje më të fortë mes njëri-tjetrit. Prandaj, që pas faljes së mëngjesit, ata shkëmbejnë vizita mes të afërmve. Zakonisht, gjatë këtyre vizitave shkëmbehen edhe dhurata simbolike. Tregohet se të gjithë pjesëtarët e familjes mblidheshin dhe hanin drekën e Fitër Bajramit në shtëpinë e prindërve, motrave te mëdha ose vëllezërve.

Bërja e sadakasë

Dhurimi i diçkaje për ata që nuk kanë është një akt shumë domethënës gjatë kremtimit të festës së Fitër Bajramit. Vetë kjo festë lidhet me aktin e dhurimit. Dhënia e sevapit apo e lëmoshës mund të jetë në të ardhura apo në ushqime. Mund të gatuhet më shumë ushqim, qengj i tërë etj. Një pjesë të ushqimit e konsumojmë me të afërmit gjatë drekës së Bajramit, një pjesë tjetër e shpërndajmë të komshinjtë dhe një pjesë tjetër ua falim familjeve në nevojë ose fëmijëve jetimë që nuk kanë mundësi të ulen në një tryezë për të festuar.

Një festë e madhë për shpirtin e besimtarit, gëzuar ngaherë!

Loading...