Krahina e Kurveleshit ka sipërfaqe të përgjithshme prej afro 700 km². Është zonë malore, e ndërtuar kryesisht nga shkëmbinj gëlqerorë të kretakut e pjesërisht nga flishi, me reliev të lartë e të ashpër në pjesën më të madhe të tij, që në Kurveleshin e Sipërm merr karakterin e një rrafshnalte shumë të copëtuar nga përrenjtë me shtretër të thellë e gryka të ngushta në trajtë kanionesh (deri 150 m të thella), rrëpirash e humnerash (si në Nivicë, Lekdush etj.). Janë të përhapura shumë dukuritë dhe format karstike si : gropa, puse, galeri, shpella si dhe mjaft fusha karstike (fusha e Progonatit, e Golemit etj.), ku janë përqendruar edhe qendrat kryesore të banimit dhe tokat bujqësore. Ujërat e shirave e të borës së shumtë, nëpërmjet hinkave, puseve e të çarave të tjera karstike, depërtojnë shpejt në thellësi të tokës. Kjo bën që, sidomos Kurveleshi i Sipërm, të ketë burime të kufizuara uji. Rrjedhojë i karstit është edhe varfëria e bimësisë, sidomos në Kurveleshin e Sipërm. Më e pasur është zona barishtore me kullota të shumta, ku gjenden shumë bimë mjekësore, mjaltesa e aromatike (çaji, salepi, trëndelina etj.), duke e bërë Kurveleshin një vend të përshtatshëm për zhvillimin e blegtorisë, sidomos asaj të imët (deles, dhisë etj.).
Kurveleshi e kryesisht ai i Sipërm, në pikëpamje natyrore, është një kështjellë nga ku, për të dalë në qendër të tij, në Gusmar, mund të futesh vetëm nëpër disa drejtime e kryesisht grykash malore si : Gryka e Bënçës, Gryka e Vërmikut, Gryka e Borshit për në Kuç e Grykë të Shurit deri në Gusmar dhe Gryka e Kaparielit, që të nxjerr në Golem-Gusmar apo edhe Qafa e Kreshtës. Ky pozicion gjeostrategjik e shkëput disi Kurveleshin, sidomos atë të Sipërm, nga krahinat e tjera dhe ka favorizuar qëndresën e armatosur të kurveleshasve, por edhe ruajtien e vlerave etnokulturore sa më autoktone.
Krahina e Kurveleshit perbehet nga 15 fshatra:
1 – Gusmari ,
2 – Vërmiku ,
3 – Nivica ,
4 – Rexhini ,
5 – Progonati ,
6 – Lekdushi
7 – Golëmi ,
8 – Kaparieli ,
9 – Picari ,
10 – Kolonja ,
11 – Kuci ,
12 – Bolena ,
13 – Kallarati ,
14- Fterra ,
15- Corraj .