“Prokurori i Përgjithshëm i bën thirrje prokurorisë kompetente që të hetojë me shpejtësi nxjerrjen në publik të akteve që përbëjnë sekret hetimor dhe të vihet para përgjegjësisë penale kushdo”

Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku ka reaguar lidhur me përgjimet e bërë publike nga gazeta gjermane “Bild” ku bëri publike lidhjen e krimit me politikën dhe ndikimin e tij në proceset zgjedhore.

Prokuroria njofton se “po ndjek çështjen me shumë vëmendje dhe ashtu siç ka kërkuar edhe më përpara, kërkon dhe u bën thirrje prokurorëve që kanë në hetim çështjet 339 dhe 184, si autoritetet e vetme në ushtrimin e ndjekjes penale për këto cështje, që të hetojnë dhe të zgjidhin pa humbur kohë këto cështje, duke vënë para përgjegjësisë penale këdo që ka konsumuar një vepër penale”.

Më tej në këtë reagim thuhet se, “Prokurori i Përgjithshëm i bën thirrje prokurorisë kompetente që të hetojë me shpejtësi nxjerrjen në publik të akteve që përbëjnë sekret hetimor dhe të vihet para përgjegjësisë penale kushdo, prokuror, oficer i policisë gjyqësore apo dikush tjetër që ka poseduar për shkak të ligjit CD-të dhe në vend që të ushtronte funksionet ligjore dhe të kryente hetimin objektiv, ka bërë publikimin e tyre”.

Loading...