Në Ditën Botërore të Mjedisit çelen sezonin turistik 2019 në Sazan-Karaburun

Në Ditën Botërore të Mjedisit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Vlorë Dritan Leli dhe prefekti i qarkut çelen sezonin turistik 2019 në Sazan-Karaburun, ku gjithashtu bënë udhëtimin e parë turistik me anijen “Liburna”, të inauguruar një javë më parë.

“Mendoj se jemi në një sezon që ka nisur mirë dhe që padyshim do të realizojë shifrat e verës të vitit 2018. Nëse do të kishim shumë më tepër atmosferë për zhvillimin e turizmit, më shumë shoqëri të orientuar jo nga debate politike, por nga turizmi padyshim që do të kishim më shumë rritje të numrit të turistëve”, – tha ministri Klosi, i cili ka falenderuar edhe operatorët turistikë për investimet në turizëm dhe këtë e tregojnë anijet turistike, që nga dy që ishin vitet e kaluara, aktualisht janë 26, që do të transportojnë turistë në destinacione si: Ishulli i Sazanit apo Gadishulli i Karaburunit.

I pyetur nga gazetarët, ministri Klosi pranoi se për shkak të situatës politike ka patur anulime të rezervimeve, por nga turistë individualë, pra anulime të vogla, pa ndikim të madh.

“Po punohet për një ligj mbi detin, por ajo që duhet të kuptojmë është se jemi ende larg një qyteti që jeton me detin, pasi kemi nevojë për mijëra anije turistike dhe për njerëz të kualifikuar, që punojnë për këto anije dhe që dinë të orientojnë turistët që do të vijnë për të vizituar këto zona. Na duhen njerëz që jetojnë me detin dhe shkolla profesionale, që i trajnojnë dhe i certifikojnë këto të rinj. Shqipëria duhet të jetë mbretëresha e turizmit në Mesdhe dhe i ka potencialet turistike për të arritur këtë qëllim”, – tha ministri Klosi.

Kryetari i bashkisë Vlorë, Dritan Leli ka konfirmuar se hapja e sezonit turistik në Sazan dhe Karaburun është eveniment.

“Numri i anijeve turistike, tregon qartë ndryshimin e politikave dhe çdo investim është një orientim drejt turizmit, siç është dhe kjo anije që i shtohet kapaciteteve turistike në qytetin bregdetar”, – tha Leli. //atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/707248739729218/?t=0

Loading...