Në qytetin e Memaliaj u zhvillua nën drejtimin e Prefektit të qarkut të Gjirokastrës, Astrit Aliaj një takim për krijimin e grupeve të përbashkëta për kontrollin e territorit, me qëllim evidentimin e rasteve të mundshme të kultivimit të kanabisit.
Në këtë takim morën pjesë kryetari i bashkisë Memaliaj, Durim Rroshi, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë, inspektorë të IShMP-së në qark, administratorë të Njësive Administrative dhe të kryetarëve të fshatrave të bashkisë Memaliaj.
Në fjalën e tij, Prefekti vlerësoi angazhimin e treguar nga strukturat e bashkisë Memaliaj dhe Policisë së Shtetit për punën e bërë deri më tani në luftimin e fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike, por kërkoi nga strukturat e bashkisë Memaliaj një punë me efektive, pasi janë evidentuar raste të këtij fenomeni në disa zona.
Në përfundim të takimit, Prefekti i qarkut bëri me dije angazhimin dhe masat e marra nga qeveria për luftimin e fenomenit dhe kërkoi nga të gjitha strukturat rezultate konkrete brenda datës 15 qershor, me qëllim që në territorin e bashkisë Memaliaj dhe më gjerë të mos ketë asnjë rast të kultivimit të bimëve narkotike./atsh