Për dy ditë me radhë, 7 anije të Forcës Detare shqiptare dhe rreth 110 pjesëtarë të ekuipazheve të tyre, zhvilluan manovra luftarake në Gjirin e Vlorës, ishullin e Sazanit dhe në perëndim të gadishullit të Karaburunit.
Elementi kryesor i këtyre manovrave ishin qitjet bregdetare, për të cilat u përdorën topat e rinj 20 mm, të instaluar në anijet e klasit “Iliria”, mitralozët e kalibrit 12.7 mm si dhe mitralozi i lehtë, kalibër 7.62 mm.Rezultatet e arritura nga mitralierët e anijeve të klasit “Iliria” me topat 20 mm, tërësisht të kompjuterizuar, ishin mbresëlënëse, ndërkohë që mitralierët e anijeve më të vogla me automatikët 12.7 dhe 7.62 mm, pavarësisht valëzimit, treguan nivel të lartë përgatitjeje.
Qitjet bregdetare u zhvilluan në vendin e quajtur “vetullore”, në perëndim të gadishullit të Karaburunit dhe u drejtuan nga komandanti i Flotiljes Detare Pashaliman, kapiten i Rangut të I, Adnand Agastra.
Në këto manovra u testuan jo vetëm mitralierët, por edhe siguruesit e qitjes, radistët, komandantët e anijeve dhe gjithë efektivët pjesëmarrës.
Gjatë kësaj stërvitjeje, vëmendje të veçantë iu dha komunikimit të anijeve me mjetet e klasifikuara të ndërlidhjes, duke realizuar lidhje të suksesshme me të gjitha radiostacionet dhe me të gjitha anijet. Për realizimin e qitjeve bregdetare u morën masa për sigurimin e rajonit dhe iu bë thirrje në radio mjeteve lundruese civile, të shmangnin lundrimin në këtë zonë.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha se tre anijet e flotës detare, Iliria, Oriku dhe Lissus janë vendosur në ishullin e Sazanit, përpara qitjeve bregdetare me topat 20 mm.
“Njëra më e bukur se tjetra! Nga e djathta në të majtë: Iliria, Oriku dhe Lissus, të bregëzuara në ishullin e Sazanit, përpara qitjeve bregdetare me topat 20 mm”, tha Xhaçka/atsh