Qyteti bregdetar i Vlorës, i cilësuar si perla e Rivierës shqiptare gjatë kësaj fundjave ku dhe temperaturat ishin të larta është tejmbushur me turistë vendas dhe të huaj të cilët kanë shijuar bregdetin shkëmbor me ujëra të kristalta.
Vizitorët e shumtë shijuan fundjavën me diell në bregun e Lungomares ku përveç detit ata u argëtuan dhe me aktivitete të ndryshme që ofron ky vend, i cili tashmë ka hapësira atraktive për çdo grupmoshë.
Në Vlorë edhe perëndimi i diellit mbi detin e kaltër është një spektakël që nuk duhet humbur.
Vlora me brigjet e saj: Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit është gjithnjë e më shumë e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj. /atsh