Spiropali e pranishme në një aktivitet të organizuar tek oborri i Kryeministrisë, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama, i cili takoi nga afër studentët ekselentë, praktikantë dhe të punësuar në administratë.
Gjatë fjalës së saj, Spiropali theksoi se Shqipëria është në rrugën drejt progresit pa kthim. “Në këtë zhurmë, apo turbullira të çuditshme në dhjetor na dhatë shembullin e një qartësie të çuditshme. Ishte një protestë e vërtetë që kishte mesazh dhe shpirt duke e bërë pjesë të politikave tona. Jo se na detyruat, por se na qartësuat me problemet që kishte universiteti”, – tha Spiropali.
“Njerëz me pushtet, politikanë, kryetarë partish, që kanë bërë me Shqipërinë çfarë kanë dashur, si ju ka dashur dhe që tentojnë sërish të bëjnë gjullurdira, por jo më. Shqipëria ka ecur përpara drejt progresit e nuk do kthehet më pas, për ju dhe me ju deri në fund”, – nënvizoi Spiropali.
“Në dhjetor protestën e nisët për një arsye të vogël në dukje, por që u përkthye në një mesazh të madh. Ju kërkuat arsim më të mirë, arsim më cilësor, kërkonit një vend më të drejtë, luftonit kundër bajraktarizmit. Ne e dëgjuam me përulësi mesazhin tuaj dhe nisëm një proces për rritjen e cilësisë së universiteteve dhe procesin e punësimit të më të mirëve në administratë”, – shtoi Spiropali.
“Ne duhet të ecim përpara, duhet të shohim nga e ardhmja. Në Ministrinë e Financave ka më shumë se 150 ekselentë, duke e bërë më të mirë administratën, po ashtu ka të punësuar nga ekselentët në ministrinë time, Ministrinë e Kulturës, te Doganat. Sa herë ka ndonjë nismë ligjore, ekselentët vijnë dhe japin mendimet e tyre. Kështu duhet të jetë”, – tha Spiropali.
“Disa vite më parë ishte e pamundur një garë e tillë për t’u bërë pjesë e administratës nga studentët, por sot është realitet. Duam së bashku me ju të bëjmë një universitet më të mirë dhe një politikë më të mirë dhe të ‘çdekretojmë’ me ju dhe për ju disa nga ata politikanë që na kanë marrë peng për vite me radhë”, – theksoi Spiropali./atsh
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2342816335977975/?t=0