Gazment Bardhi: “Edi Rama është sot njeriu më i rrezikshëm për stabilitetin e vendit, për funksionimin e shtetit ligjor dhe sigurinë e qytetarëve”

“Edi Rama është sot njeriu më i rrezikshëm për stabilitetin e vendit, për funksionimin e shtetit ligjor dhe sigurinë e qytetarëve.” Kështu deklaroi sot, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi nga selia e kësa partie duke u zotuar se “ne nuk do ta pranojmë kurrë që Edi Rama të destabilizojë Shqipërinë, të instalojë në vend një diktaturë të re të krimit dhe oligarkisë, dy instrumentat e tij kryesorë për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe për të ruajtur më dhunë pushtetin e tij të kriminalizuar.”

“Rama po provon çdo ditë, – vërejti Bardhi në deklaratën në vijim, – se për pushtetin e tij personal, të blerë në bashkëpunim me krimin e organizuar, është gati të sakrifikojë gjithçka, rendin kushtetues, demokracinë, paqen sociale.

Kryeministri ilegjitim i bandës së Avdyljave ka përqendruar çdo pushtet në dorën e tij ose duke i asgjësuar institucionet, ose duke i marrë ato nën kontroll.

Edi Rama ka asgjesuar Gjykatën Kushtetuese, ka asgjesuar Gjykatën e Lartë, ka asgjesuar Prokurorin e Përgjithshëm, ka marrë nën kontroll organet e reja të drejtësisë, përdor si instrumenta politikë kundër kundërshtarëve politikë Shërbimin Informativ të Shtetit dhe Policinë e Shtetit, përdor si kamikazë kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Përgjimet tronditëse, të publikuara pak ditë më parë nga gazeta gjermane BILD, provuan se Edi Rama e mori dhe e mban pushtetin vetëm me ndihmën e krimit të organizuar dhe të bandave.

Përgjimet faktuan çdo denoncim të bërë nga Partia Demokratike këto 6 vjet se për të ardhur në pushtet, Edi Rama bëri marrëveshje me krimin e organizuar dhe e shndërroi Shqipërinë në një narkoshtet në mes të Europës. Pakti i tij me krimin është arsyeja madhore që na ka mbyllur derën e Europës dhe po rrezikon rikthimin e vizave për shqiptarët.

Pakti i Edi Ramës me krimin është pakt për të vjedhur Shqipërinë. Bashkë me një grusht oligarkësh, ai e ka kthyer Shqipërinë në pronë private të tij, ku pasuritë dhe buxheti i Shtetit është në dorën e pak njerëzve që kanë lidhje të ngushta me Kryeministrin e dalë nga vota e blerë nëpërmjet avdyljave në të gjithë Shqipërinë.

Është pakti i Edi Ramës me krimin dhe një grusht oligarkësh, arsyeja kryesore që ka rrënuar ekonominë, ka larguar investitorët e huaj dhe ka mbyllur me mijëra biznese të ndershme shqiptare, duke rritur papunësinë, duke penguar hapjen e vendeve të reja të punës, duke detyruar me qindra mijëra shqiptarë të largohen pa shpresë nga vendi i tyre.

Për shkak të paktit të Edi Ramës me krimin, Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq të rrezikshëm, në të cilin demokracia dhe e drejta themelore e qytetarëve për të zgjedhur të lirë qeverisjen që duan, është drejt asgjesimit të plotë.

Ne nuk do ta pranojmë kurrë që Edi Rama të destabilizojë Shqipërinë, të instalojë në vend një diktaturë të re të krimit dhe oligarkisë, dy instrumentat e tij kryesorë për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe për të ruajtur më dhunë pushtetin e tij të kriminalizuar.

Së bashku me elitën e shoqërisë, me qytetarët që duan ndryshimin e këtij sistemi të kalbur nga krimi dhe korrupsioni, së bashku me rininë që e do Shqipërinë si gjithë Europa, ne po krijojmë Aleancën e vlerave, Aleancën me Qytetarët për Mbrojtjen e Demokracisë dhe Rendit kushtetues.

Së bashku me elitën e shoqërisë, me qytetarët që duan ndryshimin e këtij sistemi të kalbur nga krimi dhe korrupsioni, së bashku me rininë që e do Shqipërinë si gjithë Europa, ne do të mbrojmë parimet dhe vlerat themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, do t’i garantojmë vendit zgjedhje të lira e të ndershme.

Përmes reformave të thella politike, kushtetuese dhe zgjedhore ne do t’i japim fund njëherë e mirë modelit kriminalo-autokratik të Edi Ramës, që përqendroi të gjitha pushtetin dhe pasuritë e vendit në një grusht pushtetarësh të korruptuar, oligarkësh grabitqarë dhe bandash mafioze.

Boll më me Shqipërinë që duan ata, tani është koha për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve.”

Loading...