Kosova meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë ndërkombëtare si vend i lirë e i pavarur”, ka deklaruar të martën në Prishtinë, ish-presidenti amerikan Bill Clinton.
Këto komente, Clinton i bëri pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i ndau ish-presidentit amerikan “Urdhrin e Lirisë”, për merita të veçanta.
Clinton tha se ndihej krenar që ishte president i SHBA-së në kohën ishte marrë vendimi për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.
“Unë gjithmonë do të jam krenar me faktin se unë isha president i SHBA-së në kohën kur ju patët nevojë që dikush të ngritet dhe ta thotë se nuk ka më spastrim etnik, nuk ka më përndjekje të njerëzve nga shtëpitë e tyre, jo më vrasje të civilëve të pafajshëm”, tha Clinton.
Ai tha se jo vetëm SHBA, por gjithë bota duhet të jetë krenare me të arriturat në Kosovë, demokracinë e saj dhe shtet-ndërtimin. Ai inkurajoi lidershipin e Kosovës që tani të ndërtojnë paqen brenda e jashtë kufijve të Kosovës, për dëshmuar se është shtet demokratik.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Clinton është heroi i Kosovës dhe i shprehu mirënjohjen më të më lartë atij për vendimin historik që kishte marrë në vitin 1999 për ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.
“Ju jeni heroi ynë dhe ju falënderoj shumë, shumë në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe njëherë. Prandaj, duke u bazuar në kompetencat e mia si president i Kosovës, por edhe si mik i juaj, sot ndaj çmimin në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës “Urdhrin e Lirisë”. Nuk ka çmim që mund të shpërblejë atë kontribut tuajin, sepse dekorimi më i madh është liria e Kosovës”, tha Thaçi.
Clinton u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili i shprehi mirënjohje ish-presidentit amerikan, për ndihmën në çlirimin e Kosovës.
“Falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës”, tha Haradinaj.
Ish-presidenti Clinton dhe ish-sekretarja amerikan, Madeline Albright po qëndrojnë në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që shënon edhe ditën e lirisë së Kosovës.