Nga Divjaka, kryeministri Edi Rama akuzoi Presidentin Ilir Meta se me vendimin për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, tregoi se është pjesë e planit destruktiv në dëm të Shqipërisë. Ai tha se kreu i shtetit është renditur në krah të opozitës, ndërsa përsëriti se Meta s’meriton të qëndrojë më në zyrën e Presidentit.
“Akti i fundit i Ilir Metës e ka zbardhur plotësisht të gjithë planin dhe na ka lënë të kuptojmë se ku fle tamam lepuri. Sigurisht që ne kemi bërë shumë.
Në 30 qershor, për shkak të asaj që po zhvillohet në sfondin e kësaj fushate, të atij plani destruktiv të Shqipërisë dhe të të ardhmes tonë, populli duhet të vendosë përfundimisht ndarjen e 30 viteve të shkuara me 30 vitet e ardhshme.
Asnjë parti politike, asnjë grusht politikanësh nuk mund të marrë përsipër të zhbëjë atë që është themeli i bashkëjetesës demokratike.
Në 30 qershor populli do t’u japë përgjigjen atyre që janë mësuar keq.
Ne duhet të vendosim që pas 30 qershorit kush kërkon të qeverisë, duhet të fitojë zgjedhjet, duhet të rrijë në Parlament që të bëjë detyrën për aq sa e kanë caktuar për të bërë atë detyrë.
Lënia e mandatit, kërcënimet me molotov, duhet të mbarojë njëherë e mirë, ose kush do t’i përsërisë në të ardhmen duhet ta dijë se është e kotë. është vetëvrasje politike e atyre që e kanë ndërmarrë atë rrugë.
Shqipërinë me vete ata kurrën e kurrës nuk mund ta marrin. Ilir meta ka kryeer një akt të pandodhur në historinë e botës. Kjo do të mbetet një vepër e shëmtuar, një vepër papërgjegjshmërie dhe një vepër që nuk mund as të pranohet dhe as tolerohet, Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit të Republikës”, tha Rama.